Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, u takua të hënën me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, ndërsa filloi një seri takimesh të nivelit të lartë në Uashington, përfshirë edhe një takim me Zonjën e Parë Jill Biden.
Flamujt ukrainas blu dhe të verdhë valëviteshin përkrah flamujve amerikanë në kryeqytet ndërsa zonja Zelenska i drejtohej takimit të saj të parë në Shtetet e Bashkuara, me Sekretarin Blinken.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se sekretari i shtetit e siguroi zonjën Zelenska për angazhimin amerikan për Ukrainën. Sekretari Blinken gjithashtu komentoi për punën e saj me civilët që përballen me trauma dhe dëmtime të tjera nga lufta.
Departamenti i Shtetit fillimisht njoftoi dhe më vonë anulloi një dalje të tyre të përbashkët për fotoreporterët. Ruajtja e toneve të ulëta sugjeron se zonja Zelenska nuk po udhëton si përfaqësuese zyrtare e qeverisë së bashkëshortit të saj, Presidentit Volodymyr Zelenskyy.
Zonja Zelenska studioi arkitekturë në universitet, por punoi si skenariste komedish, përfshirë edhe për komeditë e zotit Zelenskyy, i cili luante në një serial të njohur televiziv përpara se të fitonte presidencën në vitin 2019.
Gjatë luftës, Presidenti Zelenskyy fitoi admirimin e ukrainasve dhe mbështetësve të Ukrainës jashtë vendit, nëpërmjet qëndrimit të tij në kryeqytetin Kiev, pasi Presidenti rus Vladimir Putin filloi sulmin e tij ndaj Ukrainës në muajin shkurt.
Së bashku me dy fëmijët, zonja Zelenska nuk u shfaq publikisht gjatë muajve të parë pas fillimit të sulmit. Në një intervistë me revistën Time këtë muaj, ajo tha se lufta e detyroi të strehohej larg Presidentit Zelenskyy për arsye sigurie që në orët e para të bombardimeve të forcave ruse. Fëmijët e tyre, ashtu si ukrainasit e tjerë, e kanë parë babanë e tyre gjatë fjalimeve drejtuar vendit të transmetuara gjatë natës.
Zonja Zelenska doli nga izolimi më 8 maj për të përshëndetur Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, e cila po bënte një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainën perëndimore.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)