Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Gjatë një dëgjese të zhvilluar me operatorët e shërbimit të transportit publik në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shpjeguar se si do të funksionojnë linjat e dedikuara të autobusëve. Ai tha se për 3 linjat e Unazës, Tiranës së re dhe të Kombinatit do të ndërtohen korsi të dedikuara autobusësh, me synim rritjen e shpejtësisë, por dhe cilësisë së shërbimit.
“Kur flasim për “Bus Rapid Transit”, pra për lëvizjen e shpejtë të autobusëve, propozimi nuk është për të mbajtur këtë sistem që kemi, por të kalojmë në autobusë me dy artikulacione – të cilat disa prej jush i kanë futur, sidomos “Tirana e Re” dhe “Kombinati”, – dhe të shkojmë në një situatë ku linja të jetë e dedikuar, ku të jetë e pamundur të futet dikush tjetër. Pra, bëhet fjalë për të pasur 3 linja që funksionojnë si shinat e një trami. Investimi nuk është i vogël, ndaj duam të marrim mbështetje nga KFW-ja,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se, korsi të tilla të ngjashme me ato të tramit, janë ndërtuar tashmë në vende të zhvilluara. “Kush ka qenë në Stamboll e ka parë linjën e dedikuar, ku autobusët nuk janë në periferi të korsive, por janë në mes të korsive. Pra, po shikojmë se e gjithë bota është futur praktikisht në ndërtimin e një sistemi trami, edhe pse e di që kjo është një fjalë toksike në Bashkinë e Tiranës, por në pamundësi për të qenë një vend i pasur për të ndërtuar një tram, që me gjasë do të kemi mundësi ta ndërtojmë kur të futemi në Bashkimin Europian dhe të marrim atë lloj subvencionimi që mund ta ketë sot Bukureshti ose Sofia, propozimi ynë është për të kaluar me këtë sistem të dedikuar”, tha kryebashkiaku.
Me këtë sistem, shtoi Veliaj, shpejtësia e autobusëve do të dyfishohet, e po ashtu edhe numri i qytetarëve që nuk do përdorin makinat për lëvizjen në përditshmërinë e tyre.
“Edhe pse njerëzit e pranojnë që janë dyfishuar autobusët dhe ka rënë koha e pritjes në stacion, prapë një nga ankesat është që autobusët ecin ngadalë. Në momentin që linja e dedikuar i çon nga 9.5 në 19.4 kilometra në orë, pra praktikisht i çon më shumë sesa dyfish të shpejtësisë së mëparshme, kjo përgjysmon edhe kohën e ciklit. Nëse sot ciklin e ke 54 minuta, të shkon në 24 minuta dhe volumi i pasagjerëve, duke futur këto lloj mjetesh, shkon nga 9 mijë në 23 mijë udhëtarë në orë. Unë besoj se është një arritje e jashtëzakonshme cilësore” argumentoi Veliaj.
Linjat e shpejta të autobusëve pritet të nisin funksionimin në muajt e verës.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)