Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today18/07/2023
Rezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçarë.
Albert Hafner, arkeolog nga Zvicra, thotë se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën. Ai thotë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.
“Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Europë. Ne duam të dimë datat e sakta të këtij vendbanimi. Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”, shprehet arkeologu zviceran.
Për arkeologun shqiptar Adrian Anastasi, ky është jo vetëm një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar. Ai shkon më tej kur thotë se të gjitha gjetjet mund të vendosen në Pogradec, apo edhe në forma digjitale në funksion të turizmit arkeologjik.
“Ky vendbanim rezulton të jetë më i vjetri në Europë. Kjo është e lidhur edhe me ngritjen e disa pyetjeve për të ardhmen. Pse këta njerëz vendosën të kalonin në vendbanime në breg të liqenit? Këto janë pjesë të studimit. Ne, nga viti në vit, gjithmonë kemi rezultate, të cilat janë befasuese edhe për ne, siç është edhe rasti i këtij viti”, tha arkeologu shqiptar.
E pranishme në prezantimin e rezultateve, ambasadorja zvicerane në vendin tonë u shpreh e lumtur që Zvicra është pjesë e kërkimeve, ndërsa shtoi se këto gjetje mund të jenë një formë shumë e mirë për të thithur edhe më shumë turistë zviceranë.
Gërmimet në vendbanimin palafit të Linit tashmë po zhvillohen në ujë, pasi ai ka qenë i ndërtuar mbi drurë në tokë dhe liqen. Ndërkohë, ka të dhëna se një vendbanim i tillë është edhe pranë kufirit aktual me Maqedoninë e Veriut.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)