Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today04/11/2022
Ligji i ri i tatimit mbi të ardhurat propozon futjen në skemën e tatimit nga viti 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, ndërsa ruan skemën ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar (prodhim, tregti, transport, ushqim social, artizanat, etj), ku personat fizik dhe personat juridik me qarkullim deri në 14 milionë lekë, do të paguajnë 0% tatim përkatësisht mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.
Sipas një raporti që Ministria e Financave u ka nisur deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, norma efektive e tatimit për të vetëpunësuarit në shërbime profesionale (avokat, konsulent, noter, etj) 9% të të ardhurave ose 12 % të fitimit neto të supozuar me të ardhura bruto vjetore 5 milion lekë.
Ndërsa për prodhuesit, tregtuesit, baret e restorantet, që do të fillojnë të paguajnë nga viti 2029, norma efektive e tatimit do të variojnë nga 3-4.5% të të ardhurave.
Për tu lënë kohë profesionistëve të lirë, kësti i parë do të paguhet në tetor 2023 dhe i dyti në dhjetor 2023.
Normat e tatimit
Projektligji ka parashikuar që të veëtpunësuarit dhe tregtarët të tatohen:
me normën 15% mbi fitimin neto (të ardhura-shpenzime) kur fitimi neto është deri 14 milion lekë në vit;
me normën 23 % të fitimit neto, vetëm për pjesën e fitimit mbi 14 milion lekë në vit.
Duke filluar nga viti i ardhshëm vetëm të vetëpunësuarit do të fillojnë të taksohen sipas kësaj skeme. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka sqaruar më herët se janë gjithsej 14 mijë të vetë punësuar që pritet të paguajnë rreth 2 miliardë lekë shtesë në vit.
Projektligji propozon ruajtjen e skemës ekzistuese të tatimit me tarifë 0 % kryesisht të biznesit të vogël familjar (prodhim, tregti, transport, ushqim social, artizanat, etj), ku personat fizik dhe personat juridik me qarkullim deri në 14 milionë lekë, do të paguajnë 0% tatim përkatësisht mbi të ardhurat nga biznesi dhe mbi të ardhurat e korporatës deri në vitin 2029.
Sipas financave, sistemi i propozuar i tatimit të personave fizikë, tregtarëve dhe të vetëpunësuar synon të trajtojë në mënyrë të barabartë dhe të ndershme të gjithë tatimpaguesit, pavarësisht formës juridike të tyre.
Sa tatim efektiv do të paguajë të vetëpunësuarit dhe personat e tjerë fizikë
Financat sqarojnë se edhe të vetpunësuarit dhe tregtarët gëzojnë të drejtën e zbritjes nga baza e tatimit, pra reduktim të detyrimit tatimor, për të gjithë elementët që janë parashikuar për të punësuarit.
Nëpërmjet aplikimit të zbritjeve nga baza e tatimit, norma efektive e tatimit për tregtarët dhe të vetpunësuarit ulet tej normës statutore:
Norma efektive e tatimit për tregtarin apo të vetpunësuarin me të ardhura bruto vjetore 5 milion lekë:
prodhues (furrë buke, pasticier, etj) 4,5 % e të ardhurave ose 11 % e fitimit neto të supozuar;
tregtar mallrash 3 % e të ardhurave ose 10 % e fitimit neto të supozuar;
bar restorant 4,5 % e të ardhurave ase 11,2 % e fitimit neto të supozuar;
i vetpunësuar në shërbime profesionale (avokat, konsulent, noter, etj) 9% të të ardhurave ose 12 % të fitimit neto të supozuar
Si bëhej shmangia, që krijoi pakënaqësi tek të punësuarit me paga të larta
Sipas raportit të financave, përmes futjes së skemës së tatimit nga 1 Janari 2023 të bizneseve furnizues të shërbimeve kryesisht profesionale, adresohet fenomeni i identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira. Ky fenomen i cili ka eroduar bazën e listëpagesave dhe ka krijuar pakënaqësi në radhët e të punësuarve me paga të mesme dhe të larta, në lidhje me politikat e tatimit që zbatohen për profesionet e lira, apo furnizuesit e shërbimeve të tjera në përgjithësi.
Përmes skemës së re synohet të dekurajohet shmangia e tatimit nëpërmjet kalimit nga marrëdhëniet e punësimit, në marrëdhëniet e biznesit si i vetëpunësuar si dhe të dekurajojë përdorimin e statusit të personit fizik dhe shkallës tatimore eksiztuese zëro të tatimit si një mekanizëm për zhvendosjen e fitimeve nga entiteti që taksohet me 15 %, tek personi fizik pa tatim.
Financat sqarojnë se sistemi progresiv me norma 15% dhe 23% për të ardhurat nga vetpunësimi dhe tregtia për personat fizikë është i nevojshëm pasi një kategori tatimpaguesish ruajnë statusin e personit fizik, për të shmangur tatimin mbi dividendin si ortakë të biznesit.
Psh, në sektorin e shërbimeve nga rreth 50 mijë tatimpagues me status person fizik: 6 persona fizikë deklarojne fitim neto mbi 100 milion lekë secili; 36 persona fizikë deklarojnë fitim neto mbi 30 milion lekë secili; 119 persona fizikë deklarojnë fitim neto mbi 14 milion lekë secili. Fitimi neto mbi 14 milion lekë i deklaruar është 4,7 miliard lekë. Nëse këta tatimpagues me nivele kaq të larta fitimi do ishin me statusin e personit juridik, tatimi mbi dividendin teorik që do paguhej do ishte 320 milion leke;
Ndërsa në sektorët e prodhimit, transportit, tregtisë: 91 persona fizikë deklarojnë fitim neto secili mbi 14 milion lekë në vit, gjithsej 2,3 miliard lekë fitim. Nëse këta tatimpagues me nivele kaq të larta fitimi do kishin statusin e personit juridik, tatimi mbi dividentin teorik që do paguhej do ishte 160 milion lekë; Vetëm nga ruajtja e formës juridike si person fizik tatimi mbi dividentin teorik që humbet nga ky grup është 0,5 miliard lekë në vit.
Si preken bizneset e vogla, kur të fillojnë të tatohen në vitin 2029
Sipas raportit të financave, tarifa progresive 23% e parashikuar për të vetë punësuarit dhe tregtarët me fitim neto mbi 14 milion lekë në vit, nuk e dëmton biznesin e vogël në tërësi:
Në grupin e Personave Fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e shërbimeve, nga mbi 50 mijë tatimpagues, vetem 161 tatimpagues ose 0,3 % e totalit të tyre kanë fitim neto mbi 14 milion. Ata do paguajnë 23% tatim, vetëm per fitimet mbi 14 milion duke nisur nga 2023, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milion lekë do paguajnë vetëm 15% tatim.
Në grupin e Personave Fizike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregti, nga mbi 42 mijë tatimpagues, vetëm 65 tatimpagues ose 0,15% e totalit të tyre kanë fitim neto mbi 14 milion. Ata do paguajnë 23% tatim për fitimin mbi 14 milion, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milion lekë do paguajnë vetëm 15% tatim. Tatimi i tyre fillon nga 1 Janari 2029
Ne grupin e Personave Fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e prodhimit, nga mbi 12 mijë tatimpagues, vetëm 9 tatimpagues kanë fitim neto mbi 14 milion. Ata do të paguajnë 23% për pjesën e fitimit mbi 14 milion, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milion lekë do paguajnë vetëm 15% tatim. Tatimi i tyre fillon nga 1 Janari 2029.
Në grupin e Personave Fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e ndërtimit, nga mbi 6 mijë tatimpagues, vetëm 11 tatimpagues kane fitim neto mbi 14 milion. Ata do paguajnë 23% për pjesën e fitimit mbi 14 milion, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milion lekë do paguajnë vetëm 15% tatim. Tatimi i tyre fillon nga 1 Janari 2029.
Në grupin e Personave Fizikë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e transportit, nga mbi 6 mijë tatimpagues, vetëm 4 tatimpagues kanë fitim neto mbi 14 milion. Ata do paguajnë 23% për pjesën e fitimit mbi 14 milion, ndërkohë që për fitimet neto deri 14 milion lekë do paguajnë vetëm 15% tatim. Tatimi i tyre fillon nga 1 Janari 2029.
Tatimpaguesit me volum shumë të madh qarkullimi ruajnë statusin e personit fizik kryesisht për të shmangur tatimet mbi dividentët (8%). Janë rreth 300 biznese me të ardhura vjetore mbi 100 milion lekë, të cilët vazhdojnë të ruajnë statusin e personit fizik dhe të paguajnë vetëm tatimin mbi fitimin dhe jo tatim mbi dividendët. Me qëllim rregullimin e këtij fenomeni dhe mbylljen e hapësirave për shmangie, u vendos dhe norma progresive e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi në masën 23%.
Kalendari i hyrjes në fuqi
Përjashtimisht për vitin 2023, për tatimpaguesit që furnizojnë shërbime profesionale, të cilët janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat nga 1 janari 2023, parapagesat e tatimit mbi të ardhurat do bëhen në dy këste: 31 tetor dhe 31 dhjetor 2023.
Përjashtimisht për vitin 2023, listëpagesa dhe deklarata e re e tatimit të mbajtur në burim do të deklarohen nga tatimpaguesi duke filluar nga periudha tatimore 1 janar 2024.
Përjashtimisht për periudhën janar-dhjetor 2023:
Listëpagesa do të jetë sipas formatit ekzistues /Monitor/
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)