Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today15/02/2023
Shqipëria mund të ketë traditë prodhimin e rakisë, apo dhe të verës, por kur bëhet fjalë për të shpenzuar për të blerë pije alkoolike renditet zyrtarisht ndër të fundit në Europë, ndonëse në këtë tregues mund të ndikojë dhe niveli i lartë i informalitetit, po ashtu dhe çmimet e shtrenjta.
Një shqiptar shpenzon mesatarisht 66 euro në vit për të konsumuar pije alkoolike, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat dhe që i referohen vitit 2021.
Në këtë renditje, Shqipëria është e katërta nga fundit, duke lënë pas vetëm Kosovën (59 euro), Bosnjë Hercegovinën (55 euro) dhe Turqinë, që është e fundit në Europë, me vetëm 25 euro për frymë.
Në Maqedoninë e Veriut, konsumi është më i lartë, në 90 euro për frymë, në Serbi arrin në 128 euro, ndërsa rekordin e mbajnë malazezët, me 227 euro për banor.
Sipas Eurostat, shpenzimet nominale në Euro për konsumin e pije alkoolike në vend për vitin 2021 ishin 185 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë që nga 2016-a, kur raportohen të dhënat (në 2016-n ishin rreth 150 milionë euro).
Në vlerë nominale për frymë, rekordin për shpenzimet për pije alkoolike në Europë e mbajnë Islanda (847 euro), Zvicra (794 euro), Norvegji (720 euro), Finlanda (699 euro). – (shiko grafikun: Shpenzimet nominale për banor, pije alkoolike).
Pijet alkoolike në Shqipëri më të shtrenjta se mesatarja e BE-së
Çmimet e larta mund të jenë një faktor që e ndikojnë negativisht konsumin.
Pijet alkoolike në Shqipëri kushtojnë 22% më shtrenjtë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, niveli i çmimeve relative me mesataren e 27 vendeve të Bashkimit Europian është 122%.
Krahas Shqipërisë, më shumë duhet paguar për pije alkoolike edhe në Mal të Zi (122.4).
Më të lira pijet alkoolike janë në Maqedoninë e Veriut (81.4%) dhe në Bosnjë (92.6%).
Nëse shkoni në Turqi, bëni mirë që t’i shmangi pijet alkoolike pasi do ju kushtojnë 68% më shumë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.
Në Shqipëri, në raport me madhësinë e ekonomisë, shpenzimet janë sa 1.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 0.9% që është mesatarja e Bashkimit Europian, duke treguar se çmimet e larta dhe të ardhurat më të ulëta në dispozicion frenojnë konsumin. Rekordin në rajon e mban Mali i Zi me 2.5% të PBB-së. (shiko grafikun: Shpenzimet nominale ndaj PBB-së për pije alkoolike).
Edhe në raport me totalin e shpenzimeve, treguesi në Shqipëri është 2.55 e buxhetit të një familjeje, nga 1.8% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Europa
Sipas Eurostat. në vitin 2021, familjet në BE shpenzuan 128 miliardë euro (ekuivalente me 0.9% të PBB-së së BE-së) për “pije alkoolike”. Kjo përfaqëson 1.8% të totalit të shpenzimeve të tyre për konsum, përqindje e njëjtë si në vitin 2020.
Ndër anëtarët e BE-së, përqindjet më të larta të shpenzimeve totale të konsumit për pijet alkoolike në vitin 2021 u regjistruan në Letoni (5.0%), Estoni (4.7%), Poloni (3.7%), Lituani dhe Çeki (të dyja 3.6%). Përkundrazi, përqindjet më të ulëta ishin në Greqi dhe Itali (të dyja 1,0%), Holandë (1,3%) dhe Spanjë (1,4%).
Konsumi për frymë, Shqipëria sërish ndër vendet që pinë më pak alkool
Sipas të dhënave të tjera të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), 10 vendet kryesore që konsumojnë më pak alkool në rajonin europian të OBSH-së janë Taxhikistani (0.9 litra), Azerbajxhani (1.0), Turqia (1.8), Uzbekistani (2.6), Turkmenistani (3.1), Izraeli (4.4), Armenia (4.7), Kazakistani (5.0), Shqipëria (6.8) dhe Maqedonia e Veriut (6.4).
OBSH përmend se shumica e vendeve në këtë listë, përveç Maqedonisë së Veriut, Armenisë dhe Izraelit, kanë popullsi me shumicë myslimane, për të cilët konsumimi i alkoolit është i ndaluar dhe i dënuar.
Në të kundërt, brenda BE-së, asnjë vend i vetëm nuk ka një konsum vjetor për frymë më pak se pesë litra alkool të pastër, në fakt, vetëm pesë vende janë nën një konsum vjetor për frymë prej 10 litrash: Italia (8.0), Malta ( 8.3 litra), Kroacia (8.7), Suedia (9.0) dhe Holanda (9.7).
Në vitin 2019, 10 vendet europiane me konsumin më të lartë të alkoolit për frymë ishin Çekia (14.3 litra), Letonia (13.2), Moldavia (12.9), Gjermania (12.8), Lituania (12.8), Irlanda (12.7), Spanja (12.7), Bullgaria (12.5), Luksemburgu (12.4) dhe Rumania (12.3).
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)