Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Kalifornia ka miratuar një ligj të ri historik që përcakton 17 majin si “Dita e Bruce Lee”, duke e bërë mjeshtrin e arteve marciale figurën e parë kinezo-amerikane që nderohet me një ditë zyrtare në këtë shtet amerikan.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Neusom e firmosi ligjin të martën pasdite, duke e kthyer vendimin në një njohje zyrtare të trashëgimisë kulturore dhe artistike të Bruce Lee. Data 17 maj ka një domethënie të veçantë, pasi përkon me kthimin e tij në San Francisko në vitin 1959, kur ai ishte 18 vjeç, pas fëmijërisë së kaluar në Hong Kong.
Vajza e tij, Shannon Lee, drejtuese e “Bruce Lee Foundation”, tha se ky nderim pasqyron ndikimin e gjerë që babai i saj ka pasur në breza të ndryshëm. Ajo theksoi se filozofia e tij mbi disiplinën, vetëbesimin dhe forcën e brendshme ka ndikuar jo vetëm artistë dhe sportistë, por edhe të rinj që kanë gjetur frymëzim tek ai.
Ligjvënësi i Asamblesë së Shtetit, Matt Haney, i cili përfaqëson San Franciskon, e përshkroi Bruce Lee-n si “përfaqësuesin më të mirë të Kalifornisë”, duke theksuar se në një kohë kur aziatiko-amerikanët shpesh mungonin ose portretizoheshin në mënyrë stereotipe në ekran, ai solli një imazh të ri të forcës dhe dinjitetit.
Bruce Lee lindi në San Francisko në vitin 1940 nga prindër kinezë që ishin në turne artistik në SHBA. Ai kishte nënshtetësi amerikane nga lindja, por u rrit kryesisht në Hong Kong, ku filloi karrierën si aktor që fëmijë dhe u njoh me artet marciale kineze. Më vonë u kthye në SHBA dhe studioi në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, por la studimet për t’iu përkushtuar mësimit të arteve marciale.
Në vitet 1960 ai u shfaq në televizionin amerikan, më së shumti në serialin “The Green Hornet”, ku interpretoi rolin e Katos. Megjithatë, ai shpesh kritikoi Hollyuood-in për stereotipizimin e aktorëve aziatikë dhe për paga më të ulëta krahasuar me aktorët e tjerë. Më pas u kthye në Hong Kong, ku u bë yll i filmave të arteve marciale si “The Big Boss” dhe “Fist of Fury”, duke arritur famë botërore.
Bruce Lee vdiq tragjikisht në vitin 1973 në moshën 32-vjeçare, si pasojë e një reaksioni alergjik ndaj ilaçeve kundër dhimbjes. Megjithatë, trashëgimia e tij vazhdon të jetë e fuqishme edhe sot, duke ndikuar kulturën pop, sportet dhe filozofinë e vetëzhvillimit.
Sot, emri i tij mbetet i pranishëm në kulturën globale. Fansat në mbarë botën e kujtojnë çdo vit, ndërsa ide të bazuara në shkrimet dhe filozofinë e tij kanë frymëzuar edhe produksione moderne televizive, përfshirë serialin “Uarrior” të HBO Max.
Me shpalljen e 17 majit si ditë zyrtare në Kaliforni, autoritetet dhe komuniteti aziatiko-amerikan synojnë që çdo vit të organizohen aktivitete kulturore, ekspozita dhe programe edukative për të nderuar jetën dhe ndikimin e Bruce Lee si një figurë që bashkoi kultura dhe ndryshoi mënyrën sesi përfaqësohen aziatiko-amerikanët në SHBA.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)