Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) tha këtë të enjte se ka tërhequr të gjithë luftëtarët e saj nga territori i Turqisë.
Në një deklaratë për agjencinë kurde të lajmeve Firat (ANF), PKK akuzoi Ankaranë se nuk po e çon përpara me seriozitet procesin e paqes, i cili nisi në vitin 2024.
PKK tha gjithashtu se ka larguar disa nga pozicionet e saj në zonën e Metinës, në Irak, pranë Zapit. Bëhet fjalë për katër tunele dhe pozicione ushtarake. Sipas organizatës, ato u hoqën në mënyrë që të mos konsideroheshin kërcënim nga Turqia.
PKK tha se ka tërhequr të gjitha forcat e saj të armatosura që ndodheshin brenda dhe jashtë Turqisë, në zona që mund të konsideroheshin pranë kufirit.
Lëvizja pretendon se me këtë hap ka përmbushur kushtet e strategjisë së saj për t’i dhënë fund luftës së armatosur dhe për të kaluar në një proces politik demokratik.
Megjithatë, PKK akuzon qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdoğan se nuk ka ndërmarrë hapa të rinj që nga miratimi i një ligji të rëndësishëm në fillim të gushtit.
Ligji i miratuar nga Parlamenti turk krijoi bazën për riintegrimin e luftëtarëve të PKK-së në shoqëri. Ai shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjen për t’i dhënë fund një konflikti që ka zgjatur më shumë se 40 vjet dhe ku, sipas autoriteteve turke, kanë humbur jetën rreth 50 mijë njerëz.
Në kuadër të procesit të paqes, Ankaraja ka krijuar së fundmi katër nënkomisione për të mbikëqyrur shpërbërjen e PKK-së. Njëri prej tyre do të merret me dorëzimin e armëve nga PKK-ja. Në punën e këtij komisioni pritet të marrë pjesë edhe lideri historik i organizatës, Abdullah Öcalan.
Öcalan ndodhet në burg në Turqi dhe nuk do të lejohet të largohet nga qelia. Kjo ishte ndër kërkesat e partisë prokurde DEM, e cila është pjesë e procesit të paqes.
Ligji i miratuar në gusht nuk përcaktoi se çfarë do të ndodhë me Öcalan. Ai është 77 vjeç dhe ndodhet në izolim në burgun e ishullit Imrali, në jug të Stambollit, që prej arrestimit të tij në vitin 1999.
Öcalan po vuan një dënim të përjetshëm.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)