Qeveria e Gjermanisë konfirmoi se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Deputeti gjerman, Knut Abraham, tha se ka pyetur ekzekutivin e tij nëse do ta mbështeste aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm dhe se përgjigjja ka qenë pozitive.
Abraham publikoi një letër, ku, mes tjerash, thuhet se Qeveria Federale e Gjermanisë “mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Është e rëndësishme të qëndrojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës”, thuhet në letrën që ka shpërndarë deputeti Abraham.
Letra është e nënshkruar nga Andreas Michaelis, i cili shërben si sekretar i shtetit i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë më herët se planifikojnë që së shpejti të aplikojnë për anëtarësim në këtë mekanizëm.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.
Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.
Kosovën nuk e njohin ende as pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Post comments (0)