Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Forcat amerikane pritet të përfundojnë deri më 30 shtator tërheqjen nga bazat e fundit në Irak, duke i dhënë fund një pranie ushtarake që nisi prej vitit 2003. Tërheqja është përshëndetur nga Irani dhe grupet e armatosura aleate të tij si një fitore, ndërsa zyrtarët irakianë paralajmërojnë për rritjen e ndikimit të milicive të mbështetura nga Teherani dhe një rikthim të mundshëm të Shtetit.
Tërheqja amerikane është pjesë e marrëveshjes së arritur mes Washingtonit dhe Bagdadit në vitin 2024. Sipas planit, misioni ushtarak i koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it në Irak përfundon më 30 shtator, ndërsa vendi hyn në një fazë të re të bashkëpunimit të sigurisë.
Analisti irakian i sigurisë Jasim al-Bahadli tha për Reuters se tërheqja heq një prani ushtarake që për vite shërbeu si kundërpeshë ndaj ndikimit të Teheranit në Irak.
Abu Mojtaba al-Yasiri, komandant i “Rezistencës Islamike në Irak”, grupim që përfshin fraksione të armatosura të mbështetura nga Irani, e ka përshkruar largimin amerikan si “fitore historike” për grupet e rezistencës islamike irakiane.
Edhe zyrtarë iranianë e kanë përshëndetur tërheqjen, duke e paraqitur atë si një fitore të “boshtit të rezistencës” në rajon.
Jo të gjithë në Irak e shohin tërheqjen pa shqetësim.
Disa ekspertë të sigurisë dhe liderë lokalë druhen se largimi i forcave amerikane mund të krijojë një vakum që do të shfrytëzohej nga milicitë e lidhura me Iranin.
“Ne besojmë se Iraku ende nuk është plotësisht gati për të marrë përsipër çështjet e sigurisë në këtë moment”, tha për Reuters Abdulrahman al-Zobaie, një lider fisnor sunit nga Falluxha.
Sipas tij, dëshira për sovranitet të plotë është e përbashkët për irakianët, por mënyra e tërheqjes mund të krijojë një boshllëk sigurie që shqetëson një pjesë të vendit.
Një tjetër shqetësim lidhet me Shtetin Islamik. Megjithëse grupi humbi territorin që kontrollonte në Irak dhe kalifati i tij u mposht, celulat e fjetura të ISIS-it vazhdojnë të jenë aktive.
Zyrtarë të sigurisë irakiane dhe komandantë kurdë kanë paralajmëruar se mungesa e mbështetjes amerikane në inteligjencë, logjistikë dhe përdorimin e dronëve mund t’i japë grupit mundësi të riorganizohet.
Sipas zyrtarëve irakianë të sigurisë, një celulë e dyshuar e ISIS-it po përgatiste sulme vetëvrasëse që mund të përkonin me tërheqjen e forcave amerikane.
Koloneli Khalid al-Bayati, zyrtar i lartë i sigurisë në Kirkuk, tha se ISIS kërkon të tregojë se mbetet i aftë të kryejë sulme të përgjakshme.
Tërheqja shënon fundin e një pranie ushtarake amerikane në Irak që nisi me pushtimin e vitit 2003 për rrëzimin e Saddam Husseinit.
Forcat amerikane u larguan në vitin 2011, por u rikthyen në vitin 2014 për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër ISIS-it.
Sipas marrëveshjes së vitit 2024, misioni i koalicionit ndërkombëtar u reduktua gradualisht dhe prania ushtarake amerikane u tërhoq nga pjesa më e madhe e territorit irakian gjatë vitit 2025, përpara përfundimit të plotë të misionit në shtator 2026.
Tashmë, vëmendja përqendrohet te aftësia e forcave irakiane për të garantuar sigurinë, ndërsa vendi përballet njëkohësisht me ndikimin e milicive të lidhura me Iranin dhe kërcënimin e vazhdueshëm nga celulat e ISIS-it.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)