Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today04/11/2026
Autoritetet kanadeze u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë të përgatitur për situata të mundshme emergjente, duke siguruar në banesat e tyre rezerva ushqimore, ujë të pijshëm dhe pajisje bazë që mund t’u nevojiten për të paktën 72 orë.
Rekomandimi synon të rrisë gatishmërinë e familjeve përballë situatave të paparashikuara, si fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, zjarret, ndërprerjet e energjisë elektrike apo problemet me furnizimin me ujë dhe shërbimet jetike.
Sipas udhëzimeve të autoriteteve kanadeze, çdo person duhet të ketë të paktën dy litra ujë në ditë, si dhe ushqime që nuk prishen lehtë, si produkte të konservuara dhe ushqime të thata. Në listën e pajisjeve të rekomanduara përfshihen gjithashtu një kuti e ndihmës së shpejtë, elektrik dore, bateri rezervë, radio me bateri, karikues për telefonin dhe para në cash.
Qytetarëve u këshillohet të mbajnë gjithashtu medikamentet e nevojshme, dokumentet personale dhe furnizimet për fëmijët apo kafshët shtëpiake.
Lista përfshin edhe batanije, veshje rezervë, produkte higjienike, dokumente identifikimi dhe një plan emergjence për familjen. Autoritetet theksojnë se këto rezerva duhet të jenë lehtësisht të transportueshme, në rast se qytetarët detyrohen të largohen nga banesat e tyre.
Megjithatë, rekomandimi për 72 orë nuk është një udhëzim i ri për Kanadanë. Sipas një raportimi të CBC News, autoritetet kanadeze e kanë këshilluar prej vitesh popullsinë të jetë në gjendje të përballojë të paktën tri ditë pa energji elektrike apo ujë të rrjedhshëm. Kjo periudhë konsiderohet minimumi i nevojshëm deri në rikthimin e shërbimeve ose mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Thirrje të ngjashme janë shtuar edhe në vende të tjera. Në mars të vitit 2025, Komisioni Europian prezantoi strategjinë e Bashkimit të Gatishmërisë, ku një prej rekomandimeve kryesore ishte që qytetarët të siguronin rezerva të domosdoshme për të paktën 72 orë. Strategjia synon përgatitjen e popullsisë përballë fatkeqësive natyrore, sulmeve kibernetike, krizave shëndetësore dhe tensioneve gjeopolitike.
Ndërkohë, edhe Mbretëria e Bashkuar ka intensifikuar fushatat për përgatitjen e familjeve ndaj emergjencave, duke këshilluar qytetarët të kenë në shtëpi ushqime, ujë dhe mjete të nevojshme për të përballuar ndërprerje të mundshme të shërbimeve jetike.
Ekspertët e menaxhimit të emergjencave vlerësojnë se përgatitja paraprake mund të jetë vendimtare, pasi në rast krizash të mëdha ndihma mund të mos mbërrijë menjëherë në çdo zonë. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të mos presin momentin e emergjencës për të siguruar furnizimet bazë.
Autoritetet sqarojnë se këto masa janë pjesë e politikave parandaluese dhe nuk nënkuptojnë se një emergjencë e caktuar është e pashmangshme.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)