Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
Manastiri Kyiv-Pechersk Lavra në Kiev, Ukrainë, është dëmtuar rëndë si pasojë e sulmeve ajrore ruse që nisën që prej të dielës në mbrëmje e vijuan deri më sot. Manastiri është një prej vendeve më të njohura të besimit ortodoks të krishterë dhe mbrohet nga UNESCO për vlerën e tij kulturore.
Ajo cilësohet si kisha e parë prej guri e Kievit, e themeluar në vitin 1073 nga murgu Teodosi, i cili më vonë u shpall shenjt. Katedralja ndodhet brenda kompleksit të Lavrës së Shpellave të Kievit (Kyiv Pechersk Lavra), një nga vendet fetare dhe kulturore më të rëndësishme të Ukrainës. Si pasojë e raketave, një pjesë e fasadës së ndërtesës është shkatërruar, ndërsa çatia është dëmtuar pjesërisht.
Presidenti Volodymyr Zelensky në një reagim të publikuar në rrjete sociale, shkroi se bota nuk duhet të heshtë përpara kësaj barbarie ruse.
“Sulmi ndaj katedrales përbën një agresion kundër komunitetit të krishterë dhe trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë apo për ndonjë sulm tjetër të ngjashëm rus. Ajo që nevojitet është një bashkëpunim më i madh për të ndalur luftën e Rusisë dhe një mbrojtje më e fortë për të shpëtuar jetët tona nga bombardimet e Moskës”, shkroi Zelensky.
Deklarata të ngjashme me ato të Zelenskyt erdhën edhe nga ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.
“Putini po i dërgon një mesazh G7-ës dhe Këshillit Evropian, që mblidhen këtë javë, duke treguar se po mbështetet te terrori dhe jo te diplomacia. U bëj thirrje liderëve të G7-ës dhe Evropës ta dëgjojnë me vëmendje këtë mesazh dhe të sigurojnë një përgjigje të përshtatshme: forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe shtimin e presionit ndaj agresorit”, tha ai.
Ministri shtoi se kreu i Kremlinit, “si një barbar i shekullit XXI, ka shënjestruar posaçërisht vende fetare dhe kulturore me rëndësi të jashtëzakonshme. Ai duhet të mallkohet për shekuj me radhë dhe do ta humbasë këtë luftë.”
Kreu i diplomacisë ukrainase kujtoi se “nga Hordhia Mongole në shekullin XIII deri te nazistët dhe bolshevikët në shekullin XX, manastiret e shenjta të Kievit kanë pësuar sulme të shumta. Tani kemi të bëjmë me terrorizmin rus, një mbeturinë që nuk ka asgjë të shenjtë dhe që dëmton qëllimisht Manastirin e Shpellave të Kievit, një vend unik i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i vendosur nën mbrojtje të veçantë.”
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi ashpër sulmin rus ndaj katedrales dhe bombardimet e fundit, ku humbën jetën të paktën 11 persona.
“Një nga vendet më të rëndësishme të fesë ortodokse ukrainase, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është goditur nga raketat dhe dronët e Moskës”, deklaroi presidenti francez. “Asgjë nuk e justifikon këtë sulm ndaj trashëgimisë sonë universale”, tha Macron në prag të hapjes së samitit të G7-ës në Evian, ku do të presë Trumpin dhe liderët e tjerë të demokracive më të pasura të botës.
“Sulmet ndaj një vendi të mbrojtur nga UNESCO janë jashtëzakonisht të rënda dhe tregojnë se Rusia nuk dëshiron të ulet në tryezën e paqes”, deklaroi ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani. “Kremlini po bën gabime serioze, duke treguar se ndodhet në vështirësi. Tani duhet të vazhdojmë presionin që më në fund të mund të ketë një dialog mes dy palëve.”
Nga ana e saj, Ministria ruse e Mbrojtjes përsëriti qëndrimin që ka mbajtur që nga fillimi i konfliktit, sipas të cilit Moska nuk planifikon dhe nuk kryen sulme ndaj infrastrukturës civile, duke mohuar se ka shënjestruar katedralen.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, kisha është dëmtuar nga një raketë amerikane Patriot e sistemit ukrainas të mbrojtjes ajrore. “Një nga arsyet e mundshme të këtij defekti të sistemit”, thuhet në një komunikatë, “mund të jetë fakti që vendet perëndimore i kanë furnizuar regjimit të Kievit raketa, afati i përdorimit të të cilave kishte skaduar tashmë.”
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)