Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Të paktën një person ka humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur gjatë protestave masive në Lima të Perusë, të udhëhequra nga të rinjtë që kërkojnë shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, nxisin kriminalitetin, si dhe dorëheqjen e presidentit të përkohshëm, José Jerí.
Lajmin për vdekjen e një protestuesi e ka konfirmuar vetë presidenti Jerí në një postim në rrjetin social X: “Më vjen keq për ndarjen nga jeta të Eduardo Ruiz Sanz, 32 vjeç. Ngushëllime familjes së tij në këto momente të vështira. Shpresoj që hetimet të zbardhin me objektivitet faktet dhe përgjegjësitë”.
Protestat në Lima janë organizuar kryesisht nga organizata rinore të brezit të ashtuquajtur “Gjenerata Z” dhe vijnë në një valë pakënaqësish të ngjashme që po përhapen në disa vende të botës, përfshirë Nepalin, Marokun, Madagaskarin, Indonezinë dhe Kenian. Edhe pse kërkesat janë të ndryshme nga vendi në vend, protestat kanë një themel të përbashkët: rritja e pabarazisë, pasiguria ekonomike, korrupsioni dhe nepotizmi në drejtimin politik.
Në kryeqytet, protestuesit janë përplasur me forcat e rendit dhe kanë tentuar të çajnë barrikadat përpara ndërtesës së Kongresit.
Kjo situatë vjen pas rrëzimit nga detyra të ish-presidentes Dina Boluarte të premten e kaluar, pasi shumica e partive në parlament tërhoqën mbështetjen për të, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat do të zgjidhen 130 deputetë, 60 senatorë dhe një president i ri. Postin e presidentit të përkohshëm e ka marrë 38-vjeçari José Jerí, deputet në detyrë.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)