play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Bota

Gjenerata Z, që duan të rrëzojnë nga pushteti presidentin në Madagascar

today03/10/2025

Background

Qindra njerëz në Madagascar kanë dalë në rrugë në pjesë të ndryshme të vendit gjatë javës së fundit, në valën më të madhe të protestave që ky ishull në Oqeanin Indian ka parë në më shumë se 15 vjet.

Ajo që filloi si zemërim për mungesën e nevojave bazë, është shndërruar shpejt në një nga sfidat më serioze me të cilat përballet presidenti Andry Rajoelina, i cili është në pushtet, për herën e dytë, që nga viti 2018.

Sipas OKB-së, të paktën 22 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur në trazira, megjithatë qeveria e Madagaskarit i ka mohuar këto shifra dhe i ka përshkruar ato si “thashetheme dhe dezinformata”.

Çfarë i shkaktoi protestat?

Presioni filloi të rritej pas arrestimit më 19 shtator të dy politikanëve kryesorë të qytetit, të cilët kishin planifikuar një demonstratë paqësore në kryeqytetin Antananarivo, për shkak të problemeve kronike me furnizimin me energji dhe ujë.

Ka pasur ndërprerje të shërbimeve që zgjasin orë të tëra, të ofruara nga kompania shtetërore e shërbimeve Jirama.

Shumë e panë arrestimin e tyre si një përpjekje për të heshtur pakënaqësinë, duke shkaktuar zemërim publik, dhe kjo çështje u mbështet nga grupet e shoqërisë civile dhe u formua një lëvizje online e udhëhequr nga të rinjtë, e njohur si Gen Z Mada.

Protestat prej atëherë janë përhapur përtej Antananarivos, duke përfshirë tetë qytete të tjera në ishull, pa shenja të shuarjes.

Duke mbajtur pankarta, protestuesit kanë dënuar ndërprerjet e energjisë dhe kanë akuzuar qeverinë për dështim në garantimin e të drejtave themelore.

Aktivistët gjithashtu kanë fajësuar korrupsionin e gjerë brenda kompanisë së energjisë, për krizën e elektricitetit.

Kush po proteston?

Fillimisht, Gen Z Mada po koordinohej përmes faqeve të mediave sociale si Facebook dhe TikTok. U krijua një komitet për të organizuar demonstrata të mëtejshme pas një takimi midis Gen Z Mada, grupeve të shoqërisë civile dhe politikanëve lokalë.

Grupet e tjera u përfshinë pasi protestat filluan. Disa sindikata punonjësish, përfshirë më të madhën në vend, Solidariteti Sindikal Malagas, kanë mbështetur fuqishëm lëvizjen e udhëhequr nga të rinjtë.

Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar biseda të udhëhequra nga kisha për të “parandaluar që Madagaskari të fundoset në kaos ose luftë civile”.

Kryetari i opozitës Siteny Randrianasoloniaiko dhe ish-presidenti Marc Ravalomanana shprehën mbështetjen e tyre për protestat, në një deklaratë të rrallë të përbashkët të mërkurën.

Të dy kanë refuzuar ofertat për t’u bashkuar me qeverinë e Rajoelina-s, duke thënë se kjo do të ishte një “tradhti” ndaj popullit.

Çfarë duan protestuesit?

Demonstruesit nuk kanë nxjerrë një manifest, por ajo që filloi me zemërim për shërbimet publike është zhvilluar në kërkesa më të gjera për ndryshime politike.

Shumë të rinj, që përballen me punë të pasigurta dhe pagë të ulët, kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit, duke e fajësuar atë për problemet, me të cilat po përballen.

Të mërkurën, demonstruesit në kryeqytet u panë duke valëvitur flamuj dhe pankarta me fjalët “Rajoelina jashtë”.

Një zëdhënës i Gen Z Mada i tha agjencisë së lajmeve AFP se ata donin që presidenti të jepte dorëheqjen dhe “pastrimin e Asamblesë Kombëtare”.

Ata gjithashtu duan që Rajoelina të marrë përgjegjësi për ata që raportohet se u vranë nga forcat e sigurisë.

Disa përdorues të mediave sociale kanë kërkuar gjithashtu shpërbërjen e Komisionit Zgjedhor dhe Gjykatës së Lartë të vendit.

Cila është përgjigja e qeverisë?

Forcat e sigurisë kanë mbajtur një prezencë të fuqishme në të gjithë Antananarivon dhe qytetet e mëdha të tjera, me policinë që përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit.

Në kryeqytet u vendos një ndalim lëvizjeje nga muzgu deri në agim, pas raportimeve për dhunë dhe plaçkitje, përfshirë djegien e zyrave të Ministrisë së Financave.

Rajoelina fillimisht bëri përpjekje për të qetësuar protestuesit, siç ishte shkarkimi i qeverisë së tij, thirrja për dialog me të rinjtë dhe premtimi që Banka Botërore do të financonte përpjekjet për të zgjidhur problemet me ndërprerjet e energjisë elektrike.

Por, kur këto masa dështuan në ndalimin e demonstratave, qëndrimi i tij ndryshoi.

Në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në faqen e tij në Facebook, Rajoelina pretendoi se protestuesit ishin “shfrytëzuar për të nxitur një grusht shteti” dhe se forca të huaja po financonin lëvizjen, për ta rrëzuar atë.

Shkollat në kryeqytet dhe rrethet përreth u mbyllën javën e kaluar, për shkak të frikës së përshkallëzimit të dhunës.

Autoritetet theksojnë se tubimet pa autorizim formal paraqesin rreziqe për rendin publik.

Si është jeta në Madagascar?

Madagascari është një nga vendet më të varfra në botë, me 75% të njerëzve që jetojnë nën pragun e varfërisë, sipas Bankës Botërore.

Vetëm rreth një e treta e 30 milionë banorëve të Madagascarit kanë akses në energji elektrike, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Një demonstrues i tha agjencisë AFP se “kushtet e jetesës së popullit po përkeqësohen dhe bëhen më të këqija çdo ditë”.

A është presidenti nën kërcënim?

Shkencëtarja politike dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Ketakandriana Rafitoson i tha agjencisë AFP se demonstratat rrezikojnë të zgjasin dhe të intensifikohen, nëse autoritetet mbështeten në forcë për të shtypur pakënaqësinë në vend.

Ajo tha se “rezultati rrezikon fragmentimin politik, retorikën më të fortë nacionaliste kundër ndërhyrjes së perceptuar të jashtme dhe pasojat e mundshme ekonomike”.

Por, duke vendosur ndalime lëvizjeje dhe duke hedhur poshtë raportet e OKB-së për viktimat, qeveria mund të sinjalizojë se mund të shtojë ‘shtypjen’ në vend, që të bëjë kompromis.

Analistët thonë se kontrolli mbi mediat shtetërore dhe institucionet kyçe mund t’i lejojë Rajoelinas të qëndrojë më gjatë përballë valës së pakënaqësisë.

Ekspertët e qeverisjes thonë se një pikë kritike do të ishte nëse ushtria refuzon urdhrat për të shtypur protestuesit.

Zëdhënësi i presidentit, Lova Ranoromaro, tha në mediat sociale se “ne nuk duam një grusht shteti, sepse një grusht shteti shkatërron një komb, sepse një grusht shteti shkatërron të ardhmen e fëmijëve tanë”.

Madagascari është tronditur nga disa kryengritje që nga koha kur fitoi pavarësinë në vitin 1960, përfshirë protesta masive në vitin 2009 që detyruan ish-presidentin Ravalomanana të jepte dorëheqjen dhe ku Rajoelina erdhi në pushtet për herë të parë.

Rajoelina u zgjodh përsëri në vitin 2018 dhe u rizgjodh në vitin 2023 në zgjedhje të kontestuara, që opozita i bojkotoi.

Written by: Sasha Ndreka

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *