Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony. Dy homologët vlerësuan marrëdhënien e veçantë mes dy qyteteve, si një bashkëpunim i nisur prej kohësh, i cili vijon edhe sot.
“Një nga arsyet pse Ujësjellës-Kanalizime i Tiranës është i vetmi ujësjellës në Shqipëri që del me fitim, pra që ka mundësi të marrë kredi, të paguajë detyrimet, të bëjë më shumë investime, duke transformuar një qytet të cilin e gjetëm pa një pikë ujë, kurse në zyrat e bashkisë uji merrej me sapllake dhe govata, në një qytet që në pjesën më të madhe të ditës ka 24 orë ujë, është edhe meritë e konsulencës dhe këshillave që kemi marrë nga Budapesti, të cilët na kanë udhëzuar si është mënyra më e mirë për të menaxhuar një nga sektorët më të vështirë të një qyteti që vetëm rritet, siç është sektori i ujësjellësit”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Budapestit, Gergely Karacsony tha se qyteti i Tiranës ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm, sidomos në dekadën e fundit.

“Jam i lumtur që takoj mikun tim. Mbetëm vërtet të befasuar nga pritja e rezervuar, në kuadër të samitit “Pakti i Qyteteve të Lira”, si edhe nga politikat që liderët politikë shqiptarë kanë ndjekur dhe përfaqësojnë. Tema e sigurisë, e cila luan një rol thelbësor në ditët e sotme, ishte edhe çështja kryesore e Samitit. Është i rëndësishëm fakti që tema e sigurisë të mos monopolizohet nga asnjë përkatësi politike dhe që qytetet të jenë të mbrojtura dhe të sigurta në përballjet e tyre, falë autonomisë dhe sovranitetit të tyre. Tirana ka pësuar një zhvillim të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit dhe qartazi vihet re që ky zhvillim nuk ka të ndalur. Ndaj, jam vërtet shumë entuziast për bashkëpunimin mes Budapestit e Tiranës në fushat e transportit publik dhe furnizimit me ujë”, theksoi ai.
Post comments (0)