Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Të dhënat e raportit monitorues të OECD-së dhe SIGMA-s lidhur me transformimin e shërbimit publik e rendisin Shqipërinë në shumë indikatorë lider në rajon. Gjatë prezantimit të dokumentit, Kryeministri Rama tha se falë dixhitalizimit, 95% e shërbimeve tanimë janë online.
“Sot jemi një vend lider në rajon dhe jemi ndër vendet e cilësuara në nivelin e parë, përsa i përket shërbimeve online edhe në Europë. Janë dhënë 47 milionë shërbime, në sensin ka pasur 47 milionë ndërveprime mes qytetarëve dhe administratës”, u shpreh Rama.
“Pika më e fortë është dixhitalizimi, keni bërë progres të madh. Jeni shumë pranë mesatares së BE-së për këtë pjesë të këtij indikatori. Së dyti, keni legjislacion solid dhe pikëzimi juaj sa i takon legjislacionit është përafruar me 81% të BE-së. Keni udhëheqje të fortë politike dhe kjo tregon se po i kushtoni shumë vëmendje kësaj çështje dhe së treti nëpunësit tuaj civil, 86 % e tyre janë të kënaqur e të përkushtuar”, tha drejtuesi i programit të OECD/SIGMA, Gregor Virant.
Por Rama pranon se ka edhe sektorë ku duhet bërë më shumë dhe prokurimet publike online i sheh si sfidën e tij të mandatit të katërt.
“Unë personalisht jam i palumtur me mënyrën se si ne kemi ecur dhe me cilësinë që e kemi sot në talk-menagement në administratën publike. Në prokurimet publike ne nuk jemi absolutisht të kënaqur. Jemi duke punuar për një model të Inteligjencës Artificiale”, tha Rama.
Për drejtuesin e OECD-së, qeveria shqiptare duhet të fokusohet edhe në tre pika që ai i cilësoi të dobëta.
“Niveli i lartë i drejtuesve nuk plotëson tërësisht standardet e bazuara në meritë. Së dyti, besimi mes ministrave dhe drejtuesve të nivelit të lartë duhet të jetë funksional dhe ka shumë çështje të mbartura administrative nëpër gjykata, ka një perceptim të lartë për korrupsionin”, tha drejtuesi i programit të OECD/SIGMA, Gregor Virant.
Antidoti për kryeministrin është modernizimi i sistemeve.
“Nëse nuk modernizohen sistemet, nuk ka shans që problematika e korrupsionit të zgjidhet vetëm me anën represive të shtetit. Gjermanët nuk janë nga natyra të pa-korruptueshëm, por kanë një sistem shtetëror që e bën shumë të vështirë”, thotë Rama.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)