Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Në fjalimin e inaugurimit, Presidenti amerikan Donald Trump u zotua ta rikthejë Kanalin e Panamasë, një pikë e rëndësishme kalimi për tregtinë globale, nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, mes frikës për rritjen e pranisë së Kinës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, senatorët amerikanë shqyrtuan të martën shqetësimet e sigurisë rreth Kanalit të Panamasë dhe hapat e ardhshëm.
Vetëm disa ditë pas marrjes së detyrës, Presidenti Donald Trump u tha ligjvënësve republikanë se ai dëshiron që vendkalimi kryesor për transportin global – Kanali i Panamasë – të rikthehet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se transporti amerikan nuk po trajtohet në mënyrë të drejtë.
Ligjvënësit republikanë thanë të martën se kanali përbën rrezik për sigurinë kombëtare.
“Kompanitë kineze po ndërtojnë tani një urë tek kanali me një ritëm të ngadaltë, në mënyrë që të zgjasë gati një dekadë. Dhe kompanitë kineze kontrollojnë portet e kontenierëve në të dy skajet. Ura, që është pjesërisht e përfunduar, i jep Kinës mundësinë për ta bllokuar kanalin pa paralajmërim dhe portet i japin Kinës pika vëzhgimi të gatshme për të gjetur momentin e duhur për këtë veprim. Kjo situatë, besoj, paraqet rreziqe akute për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, tarifat e larta për kalimin në kanal ndikojnë shumë më tepër tek amerikanët”, tha senatori republikan Ted Cruz.
Shtetet e Bashkuara e ndërtuan kanalin në vitin 1914 dhe e kishin atë nën kontroll deri në vitin 1977, kur ia dorëzuan Panamasë. Në fillim të këtij muaji, Presidenti panamez Jose Raul Mulino tha se kanali do të vazhdojë t’i përkasë vendit të tij.
“Panamaja nuk shpërqendrohet nga kjo lloj deklarate. Prej kohësh, ne kemi qenë një vend aleat dhe mik i Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti panamez.
Rreth 72% e mallrave që kalojnë tranzit nga kanali vijnë nga, ose shkojnë drejt tregjeve amerikane. Traktati i Kanalit të Panamasë mbron neutralitetin ndërkombëtar të kësaj pike kalimi për transportin detar dhe u lejon Shteteve të Bashkuara të ndërhyjnë nëse kjo rrezikohet.
“Nëse Panamaja do të nënshkruante një traktat me Republikën Popullore të Kinës, ku kjo e fundit do ta menaxhonte kanalin në emër të Panamasë, kjo do të ishte një shkelje e qartë. Po sikur Panamaja të bënte kontratë për operacione portuale me një firmë shtetërore kineze, apo edhe një firmë private të ndikuar, ose të kontrolluar pjesërisht nga qeveria kineze? Me fjalë të tjera, një kompani nuk duhet të jetë në pronësi të qeverisë për të qenë pjesërisht e kontrolluar nga qeveria”, thotë Eugene Kontorovich, profesor i juridikut në Universitetin George Mason.
Senatorja Maria Cantwell, drejtuese e demokratëve në Komisionin e Tregtisë të Senatit, bëri thirrje për marrëveshje më të forta tregtare dhe rritje të sigurisë kibernetike për ta trajtuar problemin.
“Çështja më e madhe është që ne duhet të kuptojmë se cilat janë mangësitë e marrëveshjes aktuale, shqetësimet në kushtet e teknologjisë së përmirësuar. Do të shpresoja që Panamaja të ishte shumë bashkëpunuese në diskutimin e këtyre investimeve të sigurisë kibernetike dhe asaj që duhet bërë“, tha senatorja Cantwell.
Një analiste i tha Zërit të Amerikës se legjislacioni i propozuar, si Akti i Amerikës, mund të ndihmojë në trajtimin e këtyre problemeve.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si sekretar i shtetit, Marco Rubio do të vizitojë Panamanë në fillim të shkurtit.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)