Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today15/01/2024
Qeveria ka miratuar udhëzimin për metodat e analizimit të treguesve të vajit të ullirit që duhet të zbatohen nga prodhuesit dhe ambalazhuesit me qëllim kontrollin e cilësisë.
Kryerja e analizave sipas metodave të përcaktuara në udhëzim si për vajin e ullirit që prodhohet dhe tregtohet për konsum dhe për vajin e bërsive të ullirit ka si qëllim kontrollin e përputhshmërisë së cilësisë me kriteret e përcaktuara në ligjin “Për kategorizimin e prodhimit, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit”.
Udhëzimi i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha rregullat për kryerjen e analizave të vajit të ullirit nga operatorët prodhues. Më pas rezultatet e analizave të kryera do të krahasohen me normat e legjislacionit në fuqi.
Tregtimi i vajit të ullirit në vend vijon të mbetet problematik për shkak të informalitetit të lartë, ku pjesa më e lartë e tij tregtohet nga fermerët në bidona plastikë.
Sipas ligjit për kategorizimin e prodhimit dhe tregtimit, vaji i ullirit kategorizohet në: vaj ulliri i virgjër, vaj ulliri i rafinuar dhe vaj ulliri. Vaji i ullirit i virgjër i përshtatshëm për konsum ndahet në: a) vaj ulliri ekstra i virgjër është vaji i ullirit i virgjër, i cili ka aciditet të lirë, të shprehur si acid oleik, jo më shumë se 0,8 gram për 100 gramë dhe karakteristika të tjera, të përcaktuara sipas pikës 1 të nenit 6 të këtij ligji; b) vaj ulliri i virgjër është vaji i ullirit i virgjër, i cili ka aciditet të lirë, të shprehur si acid oleik, jo më shumë se 2 gramë për 100 gramë dhe karakteristika të tjera, të përcaktuara sipas pikës 1 të nenit 6 të këtij ligji; c) vaj ulliri i virgjër i zakonshëm është vaji i ullirit, i cili ka aciditet të lirë, të shprehur si acid oleik, jo më shumë se 3,3 gramë për 100 gramë dhe karakteristika të tjera, të përcaktuara sipas pikës 1 të nenit 6 të këtij ligji.
Për qëllim të verifikimit të normave të përcaktuar në legjislacion duke përfshirë aciditetin, vlerën e peroksideve, etj kur rezultatet e analizave kontestohen nga operatori, ai ka të drejtë të bëjë rianalizimim, për rastin e vajit të ullirit të ambalazhuar ai ka të drejtë të kryejë përpara datës së skadencës. Në rastin kur mostra e vajit të ullirit është marrë në depozita, rianalizimi kryhet brenda 6 muajve nga marrja e mostrës.
Për verifikimin e karakteristikave të tjera nga ato të përmendura në pikën 8 (vlera e peroksideve dhe aciditetit), rianalizimi kryhet pa afat kohor, pasi nuk ndikon në rezultatin e analizës. Në rastin e vajit të ullirit të ambalazhuar, me përjashtim të rasteve kur mostra është marrë më pak se 2 muaj para datës së skadencës, nëse rezultatet e analizave nuk përputhen me karakteristikat e kategorisë së deklaruar, operatori nga i cili është marrë mostra duhet të njoftohet jo më vonë se 1 muaj përpara datës së skadencës së vajit.
Ligji “Për kategorizimin e prodhimit, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit dhe vajit të bërsisë së ullirit” sakaq parashikon sanksione me gjobë nga 100 mijë deri 200 mijë lekë nëse prodhuesit përdorin ose reklamojnë karakteristika organo-shqisore të vajit të ullirit të virgjër, të cilat nuk janë përcaktuar në ligj.
Për vitin 2021 sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë u prodhuan 25,882 ton vaj ulliri. Për vitin 2022 prodhimi i vajit të ullirit ishte 29,230 ton (rritja 13%). Për vitin 2023 sipas prodhuesve sasia e vajit të ullirit të prodhuar sipas zonave është 30 deri 60% më pak se 2022.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)