Kompania Microsoft ka njoftuar së fundmi se po bashkohet me ofruesin e patologjisë digjitale “Paige” për të ndërtuar modelin më të madh në botë të inteligjencës artificiale të bazuar në imazhe, me qëllim identifikimin e kancerit. Modeli i Inteligjencës Artificiale është duke u trajnuar mbi një sasi të paprecedentë të të dhënave që përfshin miliarda imazhe.
AI mund të identifikojë si llojet e zakonshme të kancerit ashtu si dhe ato më të rrallat që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u diagnostikuar. Studiuesit shpresojnë se përfundimisht kjo risi do të ndihmojë mjekët që po luftojnë të përballen me mungesat e personelit dhe numrin në rritje të rasteve të sëmundjeve.
Përdorimi i inteligjencës artificiale në diagnostikimin e kancerit të gjirit është i sigurt dhe pothuajse mund të përgjysmojë ngarkesën e punës së radiologëve. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm në mbarë botën, me më shumë se 2.3 milionë gra që diagnostikohen me këtë sëmundje çdo vit. Depistimi mund të përmirësojë prognozën dhe të zvogëlojë vdekshmërinë duke e zbuluar kancerin në një fazë më të hershme dhe më të trajtueshme.
Një studim i fundit ka dalë në përfundimin se numri i personave nën 50 vjeç në mbarë botën që janë diagnostikuar me kancer, është rritur me gati 80% në tre dekada. Rastet globale të kancerit u rritën nga 1.82 milionë në 1990 në 3.26 milionë në 2019, ndërsa vdekjet nga kanceri të të rriturve në të 40-at, 30-at ose më të rinj u rritën me 27%. Sipas hulumtimit, më shumë se një milion persona nën moshën 50-vjeçare në vit po vdesin nga kanceri.
Post comments (0)