Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
Në hapjen e Panairit të Librit 2022, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ftoi të gjithë qytetarët ta vizitojnë në një nga 4 ditët që do të qëndrojë i hapur te Pallati i Kongreseve. Në fjalën e tij, Veliaj tha se libri sot, në epokën digjitale dhe të mediave sociale, nuk ka dalë nga moda, por përkundrazi duhen falenderuar edhe ata që merren me botimin e tyre.
“Të promovosh sot, në epokën digjitale, në epokën e lajmeve tre sekondëshe, të Tik Tok dhe Instagramit, të story dhe reels-ve librin, është vërtet një punë e mundimshme, por edhe një punë e bukur, e cila meriton gjithë mirënjohjen tonë. Për të gjithë ata që mendojnë se librat janë vetëm për një pjesë të vogël të shoqërisë, duhet të kuptojnë se libri prodhon ekonomi. Kur mendon se një nga librat “best seller” në të gjithë Europën dhe botën ka qenë e një shkrimtareje shqiptare si Lea Ypi, kur mendon se një nga këngëtarët më të mirë italo-shqiptar, Ermal Meta, ka botuar gjithashtu një libër, do të thotë se libri, jo vetëm s’ka dalë nga moda, por është rikthyer fuqishëm në modë, më shumë se kurrë, dhe është në dorën e secilit prej nesh që të mos largohet nga këtu, pa dhënë kontributin e vet,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se në Tiranë sot janë hapur më shumë biblioteka se kurrë më parë, të cilat së bashku me Muzeun Kadare dhe Muzeun Agolli, janë sot një ftesë për t’u larguar nga kafenetë e për t’u afruar edhe më shumë me librin.
“Kemi hapur “Muzeun Kadare”, për t’i kthyer qytetit dhe stacione muzeale për njerëzit e librit. Do të hapim shumë shpejt “Muzeun Agolli”. Më vjen mirë që kemi hapur bibliotekat e lagjeve sërish, duke filluar nga “Musine Kokalari”, tek “Misto Treska”, tek “Moikom Zeqo”, tek “Petro Zheji”, tek “Hamit Beqja”. Kush do ushqim për shpirtin, për mendjen dhe për t’u hapur ndaj dijes, e ka këtë fundjavë te “Pallati i Kongreseve”. Kush nuk i do këto dhe ndihet i ngopur dhe mendon që i di të gjitha, Tirana ka edhe 10 mijë kafene, që sigurisht do kenë biznesin e tyre, por unë besoj fort se nëse secili prej nesh e merr seriozisht këtë sloganin ‘jemi të gjithë lexues’, secili prej nesh mund të japë një kontribut,” nënvizoi Veliaj.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)