Traktati themelues i NATO-s në nenin 5 përqendrohet në mbrojtjen kolektive, pra nëse sulmohet një nga shtet anëtare, pjesa tjetër i del në mbrojtje dhe Aleanca vepron si një e tërë.

Neni 5 u miratua në një kohë kur blloku ishte nën kërcënimin e një sulmi nga ish-Bashkimi Sovjetik.

“Mbrojtja kolektive do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”, thuhet në këtë nen.

Neni 5 është aktivizuar vetëm një herë nga NATO që kur u nënshkrua në vitin 1949, një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në ndërtesat e Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit në SHBA.

Ndërkohë, Polonia ka deklaruar pak më parë se po mendon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili parashikon se palët do të konsultohen së bashku dhe vendosin nëse integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre është nën kërcënim.

Më pas, 30 shtetet anëtare fillojnë konsultimet formale me kërkesë të anëtarit të kërcënuar. Bisedimet shikojnë nëse ekziston një kërcënim dhe si t’i kundërvihen atij, me vendime të arritura unanimisht.Megjithatë, neni 4 nuk do të thotë se do të ketë veprim.

Ky mekanizëm konsultimi është aktivizuar disa herë në historinë e NATO-s. Një shembull është një vit më parë, kur ushtarët turq u vranë në një sulm nga Siria.

Në atë rast NATO vendosi të konsultohej, por nuk ndërmori asnjë veprim.