play_arrow

keyboard_arrow_right

Listeners:

Top listeners:

skip_previous skip_next
00:00 00:00
playlist_play chevron_left
volume_up
  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM SHQIPËRI

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË

  • cover play_arrow

    LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP

  • cover play_arrow

    LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR

  • cover play_arrow

    LIVE CLUB BAR BIT

Europa

“Qepni dhe arnoni, mos i hidhni!” – BE synon të ndryshojë industrinë e modës deri në vitin 2030

today25/11/2026

Background
share close

Të gjithë kemi në shtëpi atë pirgun e pafund të rrobave që mbush dollapët, zë vend dhe pret prej muajsh, ndonjëherë edhe vitesh, të vishet sërish, por që në shumicën e rasteve nuk e veshim kurrë.

Ndërsa konsumi i veshjeve rritet me hapa galopantë, Bashkimi Evropian po nxit riparimin, ripërdorimin dhe riciklimin e veshjeve, duke synuar reduktimin e mbetjeve tekstile dhe luftimin e fenomenit të modës së shpejtë (Fast Fashion).

Një bluzë me një të çarë, një palë pantallona me një grisje apo një xhaketë që ka nevojë për riparim nuk duhet të përfundojnë më në koshin e mbeturinave. Ky është mesazhi që përcjell strategjia e Bashkimit Evropian për tekstile të qëndrueshme dhe qarkulluese, e cila synon të ndryshojë mënyrën se si prodhohen, konsumohen dhe trajtohen veshjet deri në vitin 2030.

Përmes kësaj nisme, BE-ja kërkon të rikthejë në vëmendje praktika që dikur ishin pjesë e përditshmërisë, si qepja, arnimi dhe riparimi i rrobave, duke i kthyer ato në alternativa konkrete ndaj konsumit të tepërt dhe blerjes së vazhdueshme të veshjeve të reja.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, çdo vit në Bashkimin Evropian hidhen rreth 5 milionë tonë veshje, ose afërsisht 12 kilogramë për person. Ndërkohë, vetëm rreth 1% e materialeve të përdorura për prodhimin e veshjeve riciklohen për të krijuar veshje të reja.

Strategjia evropiane parashikon që produktet tekstile të hedhura në tregun e BE-së të jenë më të qëndrueshme, të riparueshme dhe të riciklueshme, si dhe të përmbajnë në një masë të konsiderueshme fibra të ricikluara.

Një tjetër objektiv është që shërbimet e riparimit dhe ripërdorimit të jenë më të përhapura dhe më të aksesueshme për konsumatorët. Në të njëjtën kohë, synohet të reduktohet ndikimi i modës së shpejtë, e cila nxit blerjen e shpeshtë të veshjeve me jetëgjatësi të shkurtër.

Kjo qasje synon jo vetëm mbrojtjen e mjedisit, por edhe zhvillimin e modeleve të reja ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe mbështetjen e bizneseve që merren me riparimin, ripërdorimin dhe riciklimin e tekstileve.

Ndalimi i shkatërrimit të rrobave të pashitura

Një prej masave konkrete të kësaj politike është ndalimi i shkatërrimit të veshjeve, aksesorëve të veshjeve dhe këpucëve të pashitura për kompanitë e mëdha në BE, i cili zbatohet nga 19 korriku 2026. Për kompanitë e mesme, i njëjti detyrim nis më 19 korrik 2030.

Në vend që t’i shkatërrojnë produktet e pashitura, kompanitë duhet t’u japin përparësi shitjes, dhurimit ose përgatitjes së tyre për ripërdorim, përmes riparimit dhe rinovimit. Rregullat parashikojnë përjashtime të kufizuara, për shembull për produktet e dëmtuara ose të pasigurta.

Nga konsumi i tepërt drejt një kulture të re të veshjes

Mesazhi i kësaj strategjie është i qartë: rrobat nuk duhet të konsiderohen produkte me jetë të shkurtër, të cilat hidhen sapo dalin nga moda apo pësojnë një dëmtim të vogël.

Qepja, arnimi, blerja e veshjeve të përdorura dhe riciklimi mund të luajnë një rol të rëndësishëm në uljen e mbetjeve dhe kursimin e burimeve natyrore.

Deri në vitin 2030, Bashkimi Evropian synon të ndërtojë një industri tekstile më të përgjegjshme ndaj mjedisit, ku cilësia, jetëgjatësia dhe riparimi të kenë më shumë rëndësi sesa konsumi i shpejtë.

Në thelb, iniciativa përcjell një mesazh që mund të përmblidhet me pak fjalë: Përpara se ta hidhni një rrobë, mendoni nëse mund ta qepni, arnoni apo ripërdorni.

Written by: Neada Mucaj

Post comments (0)

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *