Listeners:
Top listeners:
play_arrow
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
play_arrow
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
play_arrow
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
play_arrow
LIVE SHQIP POPULLORE Vëtëm Këngë Popullore
play_arrow
LIVE CLUB BAR
play_arrow
LIVE CLUB BAR BIT
today04/05/2026
Ai nuk fle më në rezidencat presidenciale në Moskë dhe në Valdai. E kalon pjesën më të madhe të kohës në bunkerë nëntokësorë. U ka ndaluar kuzhinierëve, truprojave dhe shoferëve të përdorin transportin publik dhe të mbajnë me vete telefonin celular.
Gjithashtu ka shtuar masat e sigurisë rreth vetes. La Repubblica shkruan se burime të inteligjencës perëndimore dhe rusë që e njohin, thonë se Vladimir Putin ka frikë. Frikë se mund të vritet, veçanërisht nga një dron ukrainas. Frikë se mund të rrëzohet nga një grusht shteti. Si pasojë, shfaqet gjithnjë e më rrallë në publik: që nga fillimi i vitit pjesëmarrja e tij në ngjarje publike ka rënë me 30 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe është përgjysmuar krahasuar me vitin 2024.
Ndërkohë, pavarësisht asaj që thotë propaganda ruse (dhe ajo që përsërisin komentuesit pro Putin-it në emisionet televizive), gjërat për të nuk po shkojnë mirë as në frontin ukrainas, ku trupat e tij nuk arrijnë më të avancojnë dhe në disa zona detyrohen të tërhiqen, as në zonat e tjera të ndikimit jashtë vendit: nga Lindja e Mesme, ku Moska ka humbur një aleat kyç, Sirinë, dhe ka parë dobësimin e një tjetri, Iranit, deri në Afrikë, ku mercenarët e Kremlinit tërhiqen në Mali dhe janë në vështirësi në Niger dhe Burkina Faso.
Rritet pakënaqësia edhe brenda vendit, për pasojat e një konflikti që tashmë ka zgjatur më shumë se përfshirja ruse në Luftën e Dytë Botërore: mobilizimi i një numri gjithnjë e më të madh të të rinjve, vështirësitë ekonomike në rritje, pamundësia për të bërë biznes apo edhe thjesht për të udhëtuar në Perëndim, por edhe ndërprerjet e energjisë dhe censura e internetit, taksat e rritura për bizneset e vogla.
Protesta e bujshme e një influencueseje të njohur, Viktoria Bonya, e cila në prill publikoi një video 18-minutëshe drejtuar Putin-it duke thënë se rusët e kanë frikë, e parë nga një milion e gjysmë njerëz, e detyroi madje presidentin t’u kërkojë ministrave dhe këshilltarëve të komunikojnë më mirë me publikun disa masa që duken shtypëse.
Sondazhet e instituteve të mbështetura nga Kremlini apo të pavarura japin të dhëna të ngjashme: mbështetja ndaj tij ka rënë në nivelet më të ulëta që nga viti 2022, pra që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Pjesërisht, frika e Putin-it duket se është rritur edhe nga një formë paranoje, për të cilën lideri rus dyshon për gjithçka dhe për këdo: nga shqetësimi se agjentët ukrainas mund të gjurmojnë elektronikisht anëtarët e stafit të tij përmes celularëve (siç Mossad bëri me shoferët dhe truprojat e liderit suprem iranian Khamenei para se ta vriste), deri te hipotezat për sulme të guximshme për ta kapur rob, si ai amerikan i janarit të kaluar që arrestoi presidentin venezuelian Maduro.
Në pushtet që nga 31 dhjetori 1999, Vladimir Vladimirovich po shfaq sjellje të ngjashme me ato të Stalinit, veçanërisht në fazën e fundit të tri dekadave të tij në krye të Kremlinit, kur bashkëpunëtorë dhe oficerë të lartë zhdukeshin në Gulag për një fjalë apo gjest të pafajshëm. Një paranojë tipike e izolimit gjithnjë e më të madh në të cilin jeton Putin.
Sipas informacioneve të publikuara sot nga Financial Times, që i atribuohen shërbimeve sekrete perëndimore dhe të paktën një personi që frekuenton presidentin rus në Moskë, ai kalon “javë të tëra” në një bunker nëntokësor pranë Krasnodarit, në jugun ekstrem të Rusisë, duke diskutuar edhe detajet më të vogla të luftës. Sipas të njëjtit shkrim, ai i kushton 70 për qind të kohës konfliktit në Ukrainë dhe çështjeve ushtarake, duke lënë pas dore politikën e brendshme.
Nga kjo frikë për t’u vrarë ose për t’u rrëzuar nga një grusht shteti (një dukuri e përsëritur në historinë ruse, nga ai i suksesshmi kundër Hrushovit në vitin 1964 te ai kundër Gorbaçovit në vitin 1991, që dështoi, por brenda gjashtë muajsh çoi në fundin e tij politik dhe në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik), janë prekur edhe gjeneralët e Kremlinit. Pas një serie atentatesh, më i fundit në dhjetor, shpërthimi i një makine në Moskë ku humbi jetën Fanil Sarvarov, përgjegjës për stërvitjen operative të shtabit të përgjithshëm rus, ata madje kanë guxuar t’i ankohen Putin-it se nuk janë të mbrojtur sa duhet.
Presidenti ka urdhëruar që mbrojtja dhe masat e tjera të zbatohen edhe për oficerët më të lartë. Por edhe pakënaqësia e gjeneralëve ndoshta ushqen paranojën e tij për të përfunduar si Hrushovi dhe Gorbaçovi ose për t’u bërë shënjestër e një vrasësi, një autobombe apo një droni. I mbyllur në bunkerë nëntokësorë, natën Vladimir Putin sheh ëndrra të këqija. Dhe ndoshta edhe ditën, me sy hapur.
Written by: Sasha Ndreka
Copyright Radio Club FM
Post comments (0)