Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today12/05/2023
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Rebani Jaupi sot publikoi masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit e të sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, për të siguruar mbarëvajtjen e tij. Mbi 7 mijë e 500 punonjës të trajnuar do të angazhohen me detyra, duke filluar nga niveli bazë i veprimit policor. Janë 5 mijë e 211 qendra votimi, 92 KZAZ dhe 92 VNV.
Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar në datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ listën me mbi 5 mijë punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja. Gjithashtu, është dërguar lista me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor.
Policia do të marrë në ruajtje 57 objekte të rëndësishme, të cilat do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga forcat “Komando”.
Me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përsa i përket tentativës për shit-blerje të votës, bazuar në informacionet e siguruara nga shërbimet e Policisë në terren, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, Policia e Shtetit ka iniciuar hetime proaktive. Ato po kryhen nën drejtimin e prokurorive të rretheve gjyqësore e të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve për këto raste, nuk mund të japim informacione të tjera.
Gjithashtu, strukturat e Policisë në Has, Kavajë, Patos, Kukës e Durrës, në bashkëpunim me prokuroritë respektive kanë trajtuar e aktualisht kanë në hetim denoncime nga subjekte të ndryshme, për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Për të gjitha këto raste, strukturat e Policisë kanë dhënë njoftim për median dhe qytetarët.
Ka qenë permanent dhe intensiv bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare, OSBE/OD’HIR, që monitorojnë procesin zgjedhor.
Prej ditës së martë ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KQZ-ja drejt KZAZ-ve, materiale të cilat janë shoqëruar nga patrulla të Policisë Rrugore e nga shërbime të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Tashmë jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, gjatë së cilës detyrat e Policisë janë të shtuara e për kryerjen e tyre kërkohen më shumë angazhim e burime njerëzore. Në këtë kuadër, duke filluar prej orës 18:00 të ditës së sotme, deri në përfundim të procesit zgjedhor, të gjitha strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, kalojnë në gatishmërinë “Shërbim i Përforcuar.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera.
Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacënuar dhe e paintimiduar prej askujt.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)