Listeners:
Top listeners:
LIVE CLUB FM SHQIPËRI
LIVE CLUB FM KOSOVË KOSOVË
LIVE RADIO SHQIP DËGJO SHQIP
today15/08/2024
Në një intervistë të dy bashkë, Brad Pitt dhe George Clooney, shokët yje të Hollivudit kanë folur për GQ mbi rininë, të tashmen, rolet, plakjen, përshtatjen me ndryshimet që vijnë me moshën, për mënyrën sesi po e jetojnë jetën tani, por edhe për miqësinë me njëri-tjetrin.
Brad Pitt tregon sesi ishte vdekja e Princeshë Diana-s që i afroi të dy dhe një fjalim që George Clooney mbajti.
Përgjigjet e tyre më interesante i gjen më poshtë:
GQ: George, ti po vjen nga xhirimet e filmit të Noah Baumbach. Në dekadën e fundit, kishe vendosur të mos aktroje shumë, veçanërisht në filma që nuk i ke bërë vetë regjinë. Tani, me projektin “Wolfs” dhe Noah Baumbach, je duke luajtur sërish në filmat e njerëzve të tjerë. Pse?
George Clooney: Arsyeja kryesore janë fëmijët e mi. Ata janë tashmë në një moshë të caktuar. Ne nuk do t’i shpëngulim fëmijët tanë nga shkolla dhe t`i marrim ngado me vete. Më parë ata thjesht mund të vinin me ne kudo që të shkonim. Por është ndryshe tani. Ndaj me siguri tashmë do përqëndrohem më shumë tek aktrimi se tek regjia.
Brad, ti dhe unë patëm një herë një bisedë ku me the diçka: ‘Unë thjesht po përpiqem të punoj më pak’. Ti po bëje një film në vit më duket.
Brad Pitt: Po, por tani po bëj një film në një vit e gjysmë. [Qesh.] Jo, unë jam ende në të njëjtën trajektore. Ndjej të njëjtën gjë. Unë thjesht po përpiqem të kënaqem me njerëzit që dua rreth meje dhe thjesht të jetoj. S`dua të duket klishe kjo që do them, por thjesht ajri është më i freskët, bari më i gjelbër dhe unë po ndihem vetvetja.
Clooney: Po ashtu, ka diçka interesante që po ndodh—ti je 60 vjeç tani, apo jo?
Pitt: Po.
Clooney: Më bën për të qeshur kjo. Se kur mbusha 60 vjeç, unë dhe gruaja ime hëngrëm një darkë të këndshme. Ne po flisnim dhe unë thashë: ‘Hej, unë jam 60’. Tani që flasim jam 63 vjeç. Dhe thashë: “Kështu është kjo punë, por megjithatë unë ende mund të luaj basketboll. Unë ende mund të vërdallisem e të bëj një mal me gjëra. Fizikisht, jam ende në formë mjaft të mirë.” Për 20 vjet, do jem 80. Dhe ky është një numër tjetër.” Kjo është një moshë ku kockat tuaja janë të brishta dhe masa juaj muskulore është zhdukur. Këtu për dreq ndryshon puna. Pra, këto 20 vitet e ardhshme ne duhet të fokusohemi vërtet jo vetëm te puna, edhe pse duhet të vazhdojmë të punojmë, por duhet të fokusohemi edhe te jeta.
Pitt: Ju filloni ta kuptoni këtë idenë e vdekshmërisë pra dhe se është diçka me të cilën të gjithë duhet të përballemi. Ju thjesht bëheni më të vetëdijshëm për të.
Tek Wolfs, ju të dy luani djem hiperkompetent, shumë të mirë në atë që bëni, por ndoshta jeni duke u plakur. E kuptoj që arti nuk është jeta reale, por pyesja veten nëse e ndjetë këtë.
Clooney: Shiko, ne nuk jemi budallenj… Por gjithashtu ndjej sikur ka ende pak karburant rezervë.
Një gjë që më thatë dikur ishte: “Nëse shikon karrierat e aktorëve – si për shembull Cary Grant – ato janë më të shkurtra nga sa mendoni”.
Pitt: A s`është kështu?
Clooney: Po, miku im. Është 20 vjet. Është e shkurtër. Por Cary Grant ishte interesant. Ai u gjend në një film, nuk më kujtohet se kë kishte përballë. Dhe më tha: ‘Dukem shumë i vjetër për ta puthur atë vajzë.’ Dhe u largua. Dhe ai jetoi edhe 20 vite të tjerë si Cary Grant në jetë. Por shumë aktorë që ju mendoni – Clark Gable, për shembull e të tjerë – nuk patën karrierë aq të gjatë sa mendoni. Njëzet e pesë vjet, prekën majat. Për ne ka qenë 40 vjet, gjë që është e frikshme.
Jeni të habitur që po vazhdoni akoma?
Clooney: Po! Mbaj mend që fola me Damon për këtë 25 vjet më parë, kur pati për herë të parë filmin e tij dhe fitoi Oscar. Unë i thashë: ‘Vetëm dije se nëse bën një karrierë 10-vjeçare, duke luajtur në këtë nivel, është një jackpot absolut.’ Askush nuk e mban dot më shumë se kaq. Pra, po, jam i befasuar që kam ende punë.
Brad, një gjë që ju pëlqen të thoni në intervista është: Po tërhiqem zvarrë
Pitt: E kisha fjalën për sezonin. Është vërtet emocionuese dhe interesante, e dhimbshme dhe e tmerrshme e gjithë kjo. Është përgjegjësi, por edhe mundësi dhe kënaqësi të punosh me njerëz që vërtet i respekton. Dhe pastaj është edhe periudha e tillë. Si do të jenë këto vitet e fundit? Sepse unë shoh që prindërit e mi janë plakur shumë. Në të 80-at, trupi bëhet më i dobët. E megjithatë unë shikoj Frank Gehry-n. Ai është thjesht njeriu më i bukur. Është 95 vjeç dhe ende bën art. Ka një familje të bukur. Dhe unë mendoj se kjo është një lloj formule për të qëndruar krijues dhe për të vazhduar ta duash jetën tënde.
Clooney: Edhe ne jemi me fat. Jemi në një profesion që nuk të detyron të dalësh në pension.
Epo, ka dy anët e medaljes, apo jo? Ekziston ajo klishe për aktorët: Papritmas telefoni pushon së rëni.
Clooney: Vërtet, por ka dy mënyra për ta bërë këtë, apo jo? Telefoni ndalon së rëni nëse ju doni të vazhdoni të jeni personazhi që ishit në moshën 35 vjeç. Por nëse je i gatshëm që, të përshtatesh, t`i ulësh kërkesat dhe të bësh punë interesante me karaktere të ndryshme, atëherë mund të bësh paqe – duhet të bësh paqe me idenë se do të vdesësh! Unë takoj njerëz dhe ata thonë: ‘Oh, ti je më i vjetër nga sa mendoja’. Dhe unë do them: ‘Unë jam 63 vjeç, idiot!’ Thjesht: Kjo është jeta. Dhe kështu për sa kohë që mund të bëni paqe me idenë e ndryshimit, atëherë është në rregull. Pjesa e vështirë është që shumë aktorë nuk e pranojnë plakjen dhe përpiqen me dëshpërim ta mbajnë fort rininë. Unë njoh shumë të tillë.
Kjo është një nga gjërat që duhet të dish teksa plakesh. Njerëzit shpenzojnë shumë kohë duke kontrolluar çdo gjë. Në fakt është më mirë të ecësh me rrymën.
Kjo është e admirueshme, por a mund ta bëni vërtet ju këtë?
Pitt: Oh po. Është shumë më e lehtë. Për shembull, unë nuk i mendoj gjërat fare. Gjithnjë e më shumë, nëse ndihem mirë, thjesht i besoj atij barometri dhe shkoj përpara.
Ke qenë gjithmonë kështu?
Pitt: Jam bërë gjithnjë e më shumë i tillë. Kur je më i ri, ka kërcënime të perceptuara atje tej dhe gjëra nga të cilat mendon se duhet të mbrohesh. Dhe pastaj kupton që kjo është thjesht rraskapitëse.
Clooney: Me moshën bëhesh gjithashtu gjithmonë e më i zoti të vësh në lojë veten. Kur je i ri, gjithmonë përpiqesh të mbrohesh. Kur arrita për herë të parë në pikën që mund të zgjidhja një film, pranoja gjithçka që më dilte para. Sepse nuk e kuptoja që do të mbaja përgjegjësi për filmin. Kur m`u ofrua Batman & Robin mora në telefon miqtë e mi gjithë qejf: M`u ofrua Batman. Ata u habitën. I bëra të tre filmat, por nuk funksionuan. Pastaj e kuptova dhe thashë me vete: Mos, po unë duhet të mbaj përgjegjësi tani. Pra kur të zgjedh herë tjetër, duhet të zgjedh regjisor të mirë, skenar të mirë. Duhet të heq dorë edhe nga paratë madje. Se kur sapo bëhesh i famshëm dhe të ofron dikush shumë para, thua: Oh dreq kurrë s`më ka ofruar njeri kaq shumë para.
Brad, e mendon njësoj?
Pitt: Ajo për të cilën ai po flet është të kuptuarit se sa shumë do mbash mbi shpinë. Kur e kuptoni se jeni përgjegjës, atëherë ngriheni dhe filloni të bëni telefonata. Për shembull, unë kur bëra kontratën time për filmin “Seven”, pasi pata një përvojë të keqe në një film më parë, ku ata montuan keq skenat dhe i hoqën ato që mendoja se ishin jetike, në “Seven” e vendosa në kontratën time: Koka e gruas qëndron në kuti (referuar një skene të filmit)
Clooney: Vë bast se ata u përpoqën ta hiqnin, apo jo?
Pitt: Absolutisht. Dhe “personazhi vret John Doe”. I kam të dyja në kontratë.
Kam një pyetje paksa të vrazhdë: A jeni vërtet miq?
Clooney: Po, ne jemi miq. Ne jemi miq prej një kohë të gjatë. Dhe është argëtuese sepse ne gjithashtu kontrollojmë njëri-tjetrin herë pas here, gjë që është një pjesë e rëndësishme e gjithë kësaj. Gjërat ndërlikohen në jetë dhe gjithmonë duhet të siguroheni që të gjithë janë mirë.
Pitt: George është ndoshta më i miri për të kuptuar, duke e parë edhe në tabelën e shahut dhe lëvizjet e mundshme. Unë e telefonoj sa herë që gjërat më vështirësohen.
A këmbeni ju mesazhe?
Clooney: Po xhiroja “Ticket to Paradise me Jules (Julia Roberts) dhe ne ishim në një helikopter dhe po i shkruanim Brad…
Pitt: Po më dërgonin fotot e tyre nga kudo ku shkonin. Unë as që i doja (qesh). George kupton diçka që askush tjetër nuk do ta kuptonte, gjëra për të cilat ne as nuk duhet të flasim. Ka një rehati në këtë mes. Ka sigurisht edhe momente që diçka shpërthen, për shkak të presioneve dhe betejave që dikush nga ne kalon në jetën e tij. Po unë në këtë rast mendoj, e kam njohur këtë djalë që nga vitet ’90 dhe kam kaluar shumë ulje ngritje, thjesht ndihemi mirë pranë njëri- tjetrit.
Si ishte takimi juaj i parë?
Pitt: George për herë të parë më ra në sy kur Princesha Diana vdiq në aksident, dhe George u ngrit për të folur për këtë. Ishte çmenduri. 9 makina që e ndiqnin dhe e prisnin.
Clooney: Ne kemi qenë në Paris dhe jemi përndjekur njësoj.
Pitt: O Zoti im. Ndalon në një moment, del jashtë dhe flash-flash-flash-flash-flash-flash-flash. Dhe nuk mund të shohësh asgjë as nuk mund të lëvizësh, sepse je i bllokuar mes makinave. Është një ndjenjë e tmerrshme. Është vërtet gërryese të dish që ka njerëz që fshihen në shkurre. Është vërtet një ndjenjë e ndyrë, e ndyrë. Dhe kështu George u ngrit dhe e komentoi këtë pasi Princeshës Diana vdiq. Dhe atëherë thashë: Ky djalë ka diçka që ne të tjerët nuk e kemi. E pashë si ta kisha udhëheqës në atë moment.
A keni konkurruar në të kaluarën për të njëjtat role? Po tani?
Pitt: Nuk funksionon kështu. As atëherë, as tani.
Clooney: Ka një gjë shumë interesante që ndodh kur ju keni punuar së bashku për një kohë të gjatë, ku unë nuk kam as pse të shikoj pranë tij për të ditur se çfarë po bën dhe të kem një ide se çfarë po ndodh. Dhe ka një lehtësi të madhe për këtë dhe vetëbesim se them, ‘Oh po, unë e di se çfarë do të bëjë ai.’ Dhe meqë ra fjala, ka shumë skena në Ëolfs në veçanti ku mund të ndjeni që njëri prej nesh ndihmon tjetrin. Pra, nuk është më konkurrim.
Pitt: Unë thjesht po them se ne kemi një natyrë konkurruese. Ashtu si konkurrenca që do të kishte një sportist. Dhe e shoh këtë në shumicën e aktorëve që janë përreth. Ne jemi krenarë për atë që bëjmë dhe dëshirojmë që me të vërtetë të funksionojë. Por në të njëjtën kohë, nëse nuk do të kisha një George Clooney në jetën time, nuk e di nëse do të kisha arritur disa nivele. Sepse të frymëzon të vazhdosh.
A ka gjëra që dini për veten tuaj tani e që do t’ua tregonit më të rinjve nëse mundeni?
Pitt: Do të jetë çdo gjë në rregull. Është klishe, por është realisht kështu. Do të shkojë mirë.
Clooney: Halla ime [Rosemary Clooney] ishte një këngëtare me të vërtetë e famshme, dhe më pas nuk ishte. Dhe ajo nuk ishte, jo sepse u bë më pak e talentuar, por nuk ishte sepse kohët ndryshuan, dhe rock and roll hyri, muzika pop hyri. Dhe kështu mora një mësim vërtet të mirë se sa pak varet e gjithë kjo nga ty. Dhe sa më shumë të rritesh, aq më shumë je në gjendje ta shikosh dhe ta kuptosh mirë që nuk është shkëlqimi im që e bëri këtë gjë një hit dhe as nuk dështimi apo çmenduria ime që e bëri këtë një dështim. Janë të gjithë këta elementë. Kështu që merrni më pak merita apo kredite si për të mirën ashtu edhe për të keqen.
A mendoni se jeni ende duke zbuluar gjëra për veten tuaj përmes punës tuaj?
Clooney: Ekziston një ide që njerëzit thonë për mua, që është sikur unë gjithmonë luaj vetëm një version timin. Mendoj që një pjesë e arsyes për këtë është sepse unë kam kaluar kaq shumë zhanre filmash në të cilët nuk pata sukses. E kupton çfarë dua të them? Nëse nuk je jashtëzakonisht i suksesshëm në filmat aksion, atëherë askush nuk të kërkon të bësh më filma aksion. Dhe e njëjta gjë me çdo gjë. Pra mungesa e suksesit masiv më lejonte të bëja gjëra të tjera dhe të provoja gjëra të reja.
Written by: Sasha Ndreka
Post comments (0)