Lajme


Vjen ekip mjekësor italian për të përballuar situatën e shkaktuar nga COVID-19 në Shqipëri.

Postuar nga Isida Muco

30th July 2020



Shteti i Italisë ka zgjedhur të ndihmojë Shqipërinë në këto momente aspak të lehta të përballjes me COVID-19. Ditën e sotme një ekip mjekësh dhe infermierësh kanë mbërritur në vendin tonë për të dhënë asistencën e tyre në menaxhimin e situatës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci kanë pritur në Aeroportin “Nënë Tereza” delegacionin Italian, i cili do të ofrojë eksperiencën e vyer për vendin tonë.

“Kur disa muaj më parë ju gjendëm pranë Italisë mike në një moment tejet të vështirë, nuk e kishim menduar se do të na e kthenit ndihmën kaq shpejt. Ishte një gjest solidar që erdhi natyrshëm dhe jam shumë e kënaqur që sot na gjendeni pranë në një moment të vështirë për ne, ku eksperienca që ju keni fituar do të jetë mjaft e vlefshme për ne dhe për sistemin tonë shëndetësor. Kjo pandemi na ka mësuar se lufta nuk fitohet i vetëm, por vetëm me solidaritet mes vendeve”, theksoi ajo.

Ambasadori i Italisë tha se ky është një gjest për një vend mik, që sipas tij iu gjet Italisë në një moment tepër të vështirë.

“Qeveria italiane është shumë e lumtur që po ndihmon Shqipërinë, pas gjestit të madh që bëri Shqipëria për Italinë në muajin Mars. Edhe Italia nuk I harron miqtë në nevojë”, tha Ambasadori Italian.

Task forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore. Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid.

Siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë, grupi nga Italiaa përbëhet nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria. Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve në Aeroportin e Rinasit ka mbërritur edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale në ndihmë të vendit tonë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar për ardhjen e mjekëve të Italisë në Shqipëri. Sipas tij, eksperienca e tyre do të shërbejë pozitivisht për të përballuar pandeminë e COVID-19.

“Grazie (Faleminderit) Italia. Faleminderit ekipit të Mbrojtjes Civile Italiane, që zbritën në Shqipëri për të na ndihmuar me eksperiencën e tyre të paçmueshme në vijën e zjarrit kundër Covid19”, shkruan Rama në “Facebook”.