Lajme


Shakira rrezikon burgun

Postuar nga admin

29th July 2021



Shakira akuzohet në Spanjë se ka shmangur 14.5 milionë euro taksa nga viti 2011 deri më 2014. Prokurorët spanjollë akuzojnë këngëtaren kolumbiane për gjashtë krime, të cilat, nëse vërtetohen, mund ta çojnë edhe në burg.

Sipas aktakuzës, Shakira ka vendosur të jetojë në Barcelonë në vitin 2011, kur zyrtarizoi lidhjen e saj me Gerard Piqué, qendërmbrojtësin e skuadrës katalanase të futbollit, por e ka mbajtur vendbanimin e saj tatimor në Bahamas deri më 2015.

Versioni i ofruar nga avokatët e këngëtares është se gjatë asaj kohe, 44-vjeçarja fitoi shumicën e parave të saj në turne ndërkombëtarë dhe kaloi jo më shumë se gjashtë muaj në vit në Evropë. Sipas ligjit spanjoll, kjo është e mjaftueshme për ta konsideruar atë jo-rezidente.

“Shakira gjithmonë ka përmbushur detyrat e saj tatimore në të gjitha ato vende ku ka punuar, madje edhe në periudhën midis viteve 2011 dhe 2014. Ajo ndoqi mendimet dhe rekomandimet e sakta të konsulentëve të saj, profesionistë të nivelit më të lartë të një prej kompanive më të mëdha në botë”, – sqaruan avokatët e Shakira në një deklaratë.

Gjykatësi, megjithatë, u përgjigj se “ka indikacione të mjaftueshme” për ta sjellë artisten në gjykatë, edhe pse ylli i pop-it ndoshta do të apelojë këtë vendim.