Lajme


RCF të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, shpallja e eventit…

Postuar nga admin

2nd March 2021



Fondi Rajonal i Sfidave organizoi të martën, eventin kombëtar për shpalljen e thirrjes së parë të interesit në Shqipëri, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë webinar morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ambasadës Gjermane, Bankës për Zhvillim KfW, Unionit të Dhomave, GIZ, Swiss Contact, Fondit Rajonal të Sfidave, organizatave të huaja institucioneve përgjegjëse, komunitetit të biznesit dhe ofrues të arsimit profesional në vend.

Në fjalën e saj, zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen u shpreh se Fondi Rajonal i Sfidave do të ofrojë një mbështetje financiare prej19 milionë eurosh në total për të gjithë ofruesit e arsimit dhe aftësimit profesional dhe kompanitë e angazhuara në projektet e trajnimit të dyfishtë ne vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, nxënësit e aftësuar janë më të prirur për tu punësuar në treg se nxënësit që kanë marrë një formim të përgjithshëm.

“Që në vitin 2017, me mbështetjen e GIZ ne kemi zhvilluar një instrument gjurmimi për mundësitë e punësimit për nxënësit e aftësuar. Të dhënat tregojnë se 15 % e nxënësve të arsimuar në shkollat profesionale, mund të punësohen brenda 6 muajve nga diplomimi,” tha ajo.

Sorensen solli shembullin e Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AFP) ku në 2 vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të të regjistruarve sidomos nga zonat rurale dhe grupet e margjinalizuara.

Një nga sfidat por edhe cilësitë kryesore të sistemit shqiptar të arsimit dhe formimit professional është angazhimi i qëndrueshëm i sektorit privat.

“Shqipëria e ka parë me prioritet të strategjisë kombëtare përfshirjen e sektorit privat në AFP dhe po bëhen shumë përpjekje për të rritur mundësinë e bashkëpunimit kur bëhet fjalë për mësimin e bazuar në propfesion. Në vitin 2020, ne kemi miratuar aktin nënligjor që rregullon praktikën e të mësuarit në vendin e punës mes shkollave profesionale dhe sektorit privat,” tha Sorensen duke shtuar se pjesëmarrja e sektorit privat do të nxitet falë një plani aktivitetesh prej 3 nivelesh: mikro, të mesëm dhe makro.

Duke ftuar të gjitha shkollat profesionale dhe sektorin privat të aplikojnë në RCF, Sorensen nënvizoi se ky projekt do të përmirësojë komunikimin mes institucioneve dhe sektorit privat dhe falë programeve të dyfishta do të përmbushë nevojat e tregut.

Të njëjtin mendim ndau edhe Judith Hoffman, në krye të departamentit për Zhvillim dhe Bashkëpunim pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë.