Lajme


Qëllohet me shuplakë në fytyrë presidenti francez

Postuar nga admin

8th June 2021



Presidenti francez Emmanuel Macron është qëlluar me shuplakë në fytyrë nga një person që po qëndronte midis një turme gjatë një vizite zyrtare në jug të Francës.

Truprojat e Macron kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë poshtë agresorin dhe duke larguar presidentin nga vendngjarja.

Kryeministri Jean Castex e ka cilësuar incidentin si “fyerje ndaj demokracisë”.

Ngjarja ndodhi gjatë një vizite të presidentit francez në rajonin Drome, ku po takohej me pronarët e disa restoranteve dhe studentë për të biseduar mbi rikthimin në normalitet pas pandemisë COVID-19.

Në video që po qarkullon në rrjete sociale shfaqet Macron teksa ecën pranë disa mbështetësve që qëndronin pas një barriere metalike.

Më pas, presidenti francez i zgjati dorën një personi me syze dhe maskë mbrojtëse.

Më pas, personi në fjalë dëgjohet teksa bërtet “Poshtë Makronia” (A Bas La Macronie) dhe qëllon me shuplakë në fytyrë presidentin e Francës.

Dy truprojat e Macron ndërhynë menjëherë dukë vënë poshtë agresorin. Macron qëndroi pranë turmës edhe për disa momente të tjera dhe po bisedonte me një person përtej barrierës metalike.

Identiteti i personit që qëlloi Macron nuk është bërë i ditur, e po ashtu as motivet e tij. Pas incidentit, ai është dëgjuar teksa brohoriste “Montjoie Saint Denis”, e cila ishte thirrja e betejës së ushtrisë francezë gjatë kohës kur vendi ishte ende monarki.