Lajme


Një ditë pas nisjes së eventit, pushohet nga puna regjisori i ceremonisë hapëse të “Lojërave Olimpike” të Tokios

Postuar nga admin

22nd July 2021



Regjisori i ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike të Tokios, Kentaro Kobayashi, u pushua sot nga puna për një shaka rreth Holokaustit të bërë gjatë një emisioni televiziv të 23 viteve më parë.

Në një njoftim për shtyp, Komiteti Olimpik i Japonisë, vuri në dukje faktin se Kobayashi qe shprehur në emisionin e vitit 1998 “Traditat Japoneze”: “Le të luajmë Holokaust!” dhe se kjo qasje komike për një tragjedi historike është konsideruar e papranueshme.

“Shprehim ndjesë të thellë dhe sinqertë për këtë zhvillim të papritur para ceremonisë hapëse dhe për shkaktimin e shqetësimeve për përfshirjen e palëve apo dhe njerëzve të tillë,” – u tha në njoftimin e Komitetit.

Japonia ishte palë ndërluftuese gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe qe rreshtuar krah Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste.

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike të Tokios është parashikuar të bëhet të premten. Ceremonia do të bëhet pa spektatorë për shkak të situatës së rënduar me pandeminë që po kalon Japonia. Të pranishëm do jenë vetëm zyrtarë dhe gazetarë.

Herët gjatë kësaj jave, kompozitori Keigo Oyamada, muzika e të cilit pritej të ishte në ceremoni, u detyrua të tërhiqej pasi rezultoi se në të shkuarën kishte nëpërkëmbur me akte bulizmi një shok klase, gjë të cilën ky i fundit e kishte bërë publik së fundmi në një intervistë për mediat. Kjo bëri që Komiteti ta tërheqë edhe muzikën e Oyamadas nga ceremonia.

Ngjashëm ndodhi edhe për Kobayashin. Sapo u bë me dije pjesëmarrja si drejtues i ceremonisë, kritika të shumta vërshuan në rrjetet sociale.

“Askush, sado për aspekte kreative të jetë, nuk ka të drejtë të përqeshë viktimat e gjenocideve naziste,” – tha Rabini Abraham Cooper, dekan i asociuar dhe drejtor global i veprimit social të Qendrës Simon Wiesenthal, një grup i të drejtave të njeriut me bazë në Los Anxheles. Ai gjithashtu vuri në dukje se nazistët gazuan gjermanët me aftësi të kufizuara.

Rastet e Kobayashit dhe Oyamadas janë telashet më të fundit që trazojnë Lojërat Olimpike.

Presidenti i Komitetit Olimpik Japonez, Yoshiro Mori u detyrua të dorëhiqej pas akuzave për abuzim seksual, ndërsa Drejtori Artistik i ceremonisë hapëse, Hiroshi Sasaki u dorëhoq gjithashtu pasi propozoi që aktoret japoneze të ceremonisë duhej të visheshin si derra.

Gjatë kësaj jave, një anëtare e ekipit amerikan u detyrua të kërkojë ndjesë për komentet e saj rreth protokolleve anti-COVID të autoriteteve japoneze.

Në një postim në rrjetet sociale ajo e kishte krahasuar ato me masat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.