Interesante


New York Times: Viti shkollor kaos dhe “i humbur” për fëmijët?

Postuar nga Isida Muco

15th September 2020



Në një artikull të New York Times është shpalosur mënyra se si ka ndryshuar  jeta e studentëve, mësuesve, prindërve, duke përqafuar realitetin e ri. Në Shtetet e Bashkuara, si në shumë vende të botës, shumë pak ecin në korridoret e zbrazëta të shkollës madje shumë pak prej tyre janë ulur në bankat e shkollës pranë shokëve  të klasës dhe kanë takuar mësuesit e tyre. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumica dërrmuese e studentëve nuk kanë filluar shkollat.

Ata po përpiqen të kompensojnë  orët mësimore nga shtëpia e tyre, para një ekrani. Nëse janë me fat ata kanë një kompjuter ose tablet dhe qasje në internet. Pjesa tjetër nuk kanë mundësi arsimimi jo për faj të tyre por as për faj të prindërve.

Megjithëse rreziku i koronavirusit është i vërtetë, mësimi në distancë është shumë i kushtueshëm. Sipas  profesorit Justin Reich, mbyllja e shkollave tregoi menjëherë  kufijtë e teknologjisë, pasi mësimi në distancë nuk mund të zëvendësojë praninë fizike të studentëve dhe mësuesve në klasa.

New York Times iu drejtua pesë ekspertëve të arsimit, të cilët kanë rënë dakord se mësimi nga shtëpia ka një ndikim negativ, jo vetëm në arsimimin e studentëve, por edhe në socializmin e tyre. Sipas tyre, më shumë se 2/3 e mësuesve të shkollave të mesme në SHBA deklaruan  se studentët nuk i kushtonin vëmendje mësimit online ndërsa studentët me familje me të ardhura të ulëta kanë humbur 5 muaj mësim, transmeton abcnews.al

Sipas New York Times, pasojat e kësaj situate do të shihen pas disa vitesh. Shumë studentë pritet të braktisin shkollën për shkak të kufizimeve nga pamundësia ekonomike dhe pabarazive sociale, duke rezultuar në një rënie të nivelit arsimor, i cili do të përkthehet, në të shumtën e rasteve, në një standard më të ulët jetese. Mbyllja e shkollave në SHBA ka krijuar një sërë problemesh të tjera për studentët me aftësi të kufizuara. Ekspertët kanë identifikuar edhe një problem tjetër, i cili lidhet me rastet kur prindërit punojnë dhe i lënë fëmijët e tyre vetëm në shtëpi, para ekranit të kompjuterit.

Duke pasur parasysh dështimin e qeverisë amerikane për të menaxhuar pandeminë, nuk është befasi që sipas ekspertëve  arsimi është në kaos. Sipas tyre, pavarësisht se mësimi po zhvillohej online dhe shkollat ishin të mbyllura, askush nuk investoi në blerjen e kompjuterëve, transmetoi abcnews.al

“Ne jemi një vend jashtëzakonisht i pasur. Është  turp kombëtar kur mendon se tre fëmijë përdorin të njëjtin kompjuter. Sipas Qendrës Kombëtare të Arsimit, pothuajse tetë milion studentë nuk kanë qasje në internet, për shkak të pamundësisë ekonomike.

Gjithashtu ekziston një frikë në rritje se shumë prindër të cilët kanë mundësi financiare do të zhgënjehen nga niveli i ulët arsimor dhe do të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private, duke zhvlerësuar shkollat publike. Për të shmangur këtë, ekspertët sugjerojnë se qeveria amerikane duhet të miratojë një plan gjithëpërfshirës për politikën arsimore, si në Europë, dhe veçanërisht në Hollandë dhe Mbretërinë e Bashkuar, transmeton abcnews.al

“Unë  mendoj për shqetësimet që kanë mësuesit  ndërsa flasim për rihapjen e shkollave. Ata thonë se “ne nuk kemi ventilim të mirë në shkollat ​​tona. Ne nuk kemi sapun në tualetet tona. Ne nuk kemi letër higjienike, kështu që si të rikthehemi në shkolla?

Dhe atëherë unë pyes veten, si e lamë të ndodhte kjo? Si mund të shqetësohemi vetëm për faktin se fëmijët tanë nuk mund të lajnë duart e tyre me sapun në një pandemi, kur ata po përdorin të njëjtin tualet në shkollat ​​publike? Unë nuk dua që asnjë nga fëmijët tanë të qëndrojë në një  shkollë ku nuk ka ajrosje. Unë nuk dua që mësuesit të duhet të sigurojnë letër higjienike. Kështu që ju lutem të bëjmë diçka më shumë”, tha John King, president dhe CEO i Education Trust.

Sipas tij, nuk duhet që “të ulemi dhe të qajmë duke thënë  se tashmë është një vit i humbur dhe duhej të kishim një president tjetër ose një guvernator tjetër. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe t’u japim mundësi të vazhdojnë shkollën të gjithë studentëve.

Kur skllavëria u shfuqizua në këtë vend, ish-skllevërit e liruar kërkuan të arsimoheshin. Ata krijuan kolegje dhe universitete, miratuan ligjet e para të arsimit publik në mënyrë që të lejonin të gjithë fëmijët të shkonin në shkollë. arsimi nuk bazohej në ndonjë garanci se kushdo që arsimohej do të kishte kushte më të mira pune por sepse të gjithë e dinin se arsimi ishte çelësi i lirisë në këtë vend. Dhe është e tillë akoma.”

Sipas New York Times, studentët që jetojnë në zona të varfra të SHBA-së kanë shumë të ngjarë të humbin pjesën më të madhe të vitit shkollor. Debati mbi rihapjen e shkollave në SHBA këtë vjeshtë filloi mes ndarjeve politike dhe pasigurisë. Në fillim të gushtit, ndërsa mësuesit shprehën shqetësime të sigurisë në lidhje me hapjen e shkollave dhe autoritetet po përpiqeshin të zbatonin planin më të mirë më të mundshëm, Trump shkroi në Twitter “HAPINI SHKOLLAT”.

Në deklaratën e tij, Trump nuk mori parasysh faktin se si do të hapeshin shkollat. Përveç kësaj, presidenti amerikan kërcënoi të ndërpresë fondet federale për të gjitha shkollat ​​që do të qëndronin të mbyllura.