Lajme


Mbyllet numërimi/ PS merr 5 mandate në Berat, ‘pakënaqësi’ nga fitorja në Elbasan

Postuar nga admin

27th April 2021



Është mbyllur numërimi në Elbasan dhe pritet mbyllja edhe në Berat, në dy qarqe ku ka thuajse zero shanse që rezultati të ndryshojë. Në Berat PS-ja merr 5 mandate kundrejt 2 të PD-së, ndërsa në Elbasan 8 mandate nga 6 që ka fituar PD-ja.

Por në Elbasan PS-ja paralajmëron se do të ankimojë rezultatin, edhe pse nuk një i tillë nuk është zyrtarizuar ende, pasi disa fletë votimi që beson se kanë qenë në favorin e saj, janë konsideruar të pavlefshme, çka besohet prej socialistëve se kjo i hoqi padrejtësisht edhe mandatin e 9-të.

Berati

Nga numërimi i fletëve në 275 QV socialistët kanë 41.924 vota, Partia Demokratike 22.803 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 8.367.

Aktualisht sipas projeksioneve, Partia Socialiste ka siguruar në këtë qark 5 mandate, Partia Demokratike 2 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet pa mandate në Berat.

Ministri Blendi Klosi u shpreh i gëzuar për fitimin e mandatit të 5, ndërsa theksoi se ishte një fushatë emocionuese dhe me sakrificë.

“Ka qenë një betejë e gjatë. Një garë e vështirë, intensive por edhe në ditët e numërimit të votave ishte shumë e vështirë, pasi gjatë gjithë kohës ishim të humbur dhe arritëm të rikuperoheshim. Për këdo që e di fushatën elektorale e di shumë mirë që ka një rregull në këtë aspekt, udhëzimet e KQZ e përcaktojnë që hapen kutitë më të vogla tek ato më të mëdha, ne këtë parim ndoqëm, prandaj ndodhi ndryshimi se tre bashkitë, Berat, Kuçovë, Urë Vajgurore iu përgjigjën në mënyrë spektakolare mandatit tonë të pestë që na çuan në një fitore të jashtëzakonshme”.

Gjithë kohën kemi qenë në garë për mandatin e pestë, e gjithë struktura do të mobilizohej. Doja të shprehesha që në këtë moment, ishte një mandat sakrifice dhe emocioni, kam vite që merrem me politikë, ka qenë fushata më emocionuese me një nerv të jashtëzakonshëm, thirrje për sakrificë”, tha Klosi.

Elbasan

Është mbyllur procesi i numërimit të votave edhe në qarkun e Elbasanit, ndërkohë që pritet rezultati. Deri tani paraprakisht konfigurimi është 8 mandate për PS, 6 për PD dhe asnjë për LSI dhe partitë më të vogla. PS pretendohet se e ka humbur për pak vota mandatin e 9-të.

Qarku duket se do të shkojë drejt rinumërimit në KQZ, pasi i pari në listën e kandidatëve të PS, Taulant Balla, tha se sipas kalkulimeve të tyre, PS e ka siguruar edhe mandatin e 9.

Mësohet se diferenca që balanca e mandateve të ndryshojë është shumë e vogël.

“Na rezulton që e kemi kaluar votat e nevojshme për mandati e 9, kemi diferencë ne 28 mijë vota me PD që na siguron edhe mandatin e 9, por fleta e votimit është e komplikuar”, tha Balla, duke lënë kështu të hapur mundësinë e ndonjë një ankimimi.