Lajme


Koronavirusi u shpall nga OBSH virus pandemik, por çfarë është pandemia?

Postuar nga Isida Muco

11th March 2020



Një pandemi është një sëmundje e re që është përhapur globalisht, sipas OBSH-së. Duke qenë se shumica e njerëzve nuk janë imun ndaj kësaj sëmundje të re, ajo mund të përhapet përtej parashikimit.

Pandemitë, siç kanë shpjeguar disa ekspertë, nuk flasin për ashpërsinë e një sëmundjeje, vetëm për shtrirjen e saj gjeografike.

Kalimi nga epidemitë lokale në një pandemi globale, sipas OBSH-së, “mund të ndodhë shpejt ose gradualisht, siç tregohet nga vlerësimi global i rrezikut, bazuar kryesisht në të dhënat virologjike, epidemiologjike dhe klinike”.

Megjithatë, për momentin, OBSH thotë se koronavirusi nuk ka pasur një “transmetim të qëndrueshëm dhe intensiv në komunitet” ose nuk ka shkaktuar viktima në shkallë të gjerë.

Kina ka më pak se 80,000 raste në një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, shpjegoi OBSH. Në pjesën tjetër të botës, ka 2,790 raste në një popullsi prej 6.3 miliardë banorësh.

A kemi arritur tashmë në atë pikë?

Harta e vendeve të prekura nga koronavirusi (e përditësuar më dt.24 shkurt). Foto: Statista.

Disa nuk pajtohen. Profesori Jimmy Whitworth i Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha për BBC: “Unë mendoj se shumë njerëz e konsiderojnë si pandemi gjendjen aktuale. Kemi transmetim të vazhdueshëm në rajone të shumta të botës.”

Rastet e virusit janë raportuar tani në çdo kontinent përveç Antarktidës, me Brazilin dhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut si vendet e fundit që konfirmojnë raste të vërtetuara infektimi nga koronavirusi.

Dr. Nathalie MacDermott nga Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar tha për BBC se ajo ishte më e shqetësuar për aftësinë e vendeve me sisteme të dobëta kujdesi shëndetësor për të përballuar virusin.

“Unë mendoj se jemi në prag të nje pandemie. Javën ose në dy javët e ardhshme ka gjasa ta shohim të shfaqet në shumë vende të tjera dhe nëse është në disa kontinente të ndryshme, atëherë po i afrohemi një pandemie.”

Megjithatë, rastet në Kinë arritën kulmin në fund të janarit dhe që atëherë kanë rënë. Siç shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm, masat e marra në Kinë kanë ndihmuar në ndalimin e përhapjes së sëmundjes dhe “kanë shmangur një numër të konsiderueshëm rastesh”.

Ai tha: “Mesazhi kryesor që duhet të japin të gjithë vendet është shpresë, kurajë dhe besim se ky virus mund të izolohet.”

Sytë nga e ardhmja

Si përfundim, vendimi për shpalljen e një pandemie i takon Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së. Vendimi i tij do të bazohet në një sërë faktorësh, duke përfshirë shpejtësinë e përhapjes së sëmundjes, cilat grupe njerëzish janë më të rrezikuar dhe efikasitetin e trajtimeve.

Lista përfshin gjithashtu një vlerësim të simptomave dhe komplikimeve, sa njerëz sëmuren dhe ndikimi te punonjësit e shëndetit dhe aftësia e sistemit shëndetësor global për ta përballuar atë. Nuk ka kritere të përcaktuara, është thjesht një gjykim.

OBSH-ja është treguar e matur për të përdorur fjalën “pandemi”. Fjala, shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm, “nuk ka asnjë përfitim të prekshëm, por ka një rrezik të konsiderueshëm përsa i përket shtimit të frikës së panevojshme dhe të pajustifikuar, si dhe paralizon sisteme”.

Ky kujdes mund të burojë, pjesërisht, nga mënyra sesi OBSH-ja trajtoi shpërthimin e gripit të derrit H1N1 në 2009. Duke përdorur kriteret që tashmë janë braktisur, OBSH-ja shpalli një pandemi. Më vonë, kur sëmundja rezultoi më pak vdekjeprurëse nga sa druheshin, disa akuzuan OBSH-në se kishte reaguar në mënyrë të tepruar.

Sigurisht që nevojitet parandalimi i panikut të panevojshëm. Fjala pandemi “mund të sinjalizojë gjithashtu që ne nuk mund të përmbajmë më virusin, gjë e cila nuk është e vërtetë”, tha Drejtori i Përgjithshëm. “Jemi në një luftë që mund të fitohet, nëse bëjmë gjërat e duhura.”

Ai shtoi se OBSH-ja nuk do të hezitonte të përdorte fjalën “pandemi”, nëse kjo fjalë bëhet “një përshkrim i saktë i situatës”.

Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se koronavirusi ka “potencial pandemik” dhe se përgatitja do të ishte vendimtare.

“Mos më keqkuptoni”, tha ai. “Nuk po e minimizoj seriozitetin e situatës.”