Lajme


Konfirmohen 64 infektime të reja në orët e fundit, Covid-19 merr dy jetë

Postuar nga Isida Muco

29th June 2020



Konfirmohen 64 raste të reja infektimesh me koronavirus në 24 orët e fundit, nga 371 testime të kryera, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë, kur pati 72 raste. Por po ashtu shtohen edhe dy viktima të tjera duke e çuar në 58 numrin e të vdekurve/

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec.

Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 358; Durrës 198; Shkodër 155; Vlorë 100; Fier 47; Lezhë 39; Korçë 28; Kukës 18; Elbasan 13; Gjirokastër 7; Berat 6 dhe Dibër 1.

Në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78 vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, me gjithë trajtimin intensiv në reanimacion dhe një pacient 83 vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni. Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

Pavarësisht rasteve ditore të identifikuara pozitivë, lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët për t’u treguar të kujdesshëm për respektimin e distancës fizike me njëri-tjetrin, evitimin e kontakteve, shtrengimit të duarve dhe përqafimeve, ruajtjen e higjienës personale.

Mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruani dot distancën.

Biznese, bar, kafe, restorante, zbatoni me rigorozitet protokollet higjieno-sanitare të sigurisë.

“Kryeni shërbimin vetëm në ambientet e hapura dhe jo të mbyllura, duke respektuar distancimin fizik sipas udhëzimit të autoriteteve shëndetësore.  Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar.  Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 dhe në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid-19”, deklaroi Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik.

COVID-19 – Statistika 29 Qershor 2020

Testime totale  26663

Raste pozitive  2466

Raste të shëruara  1438

Raste Aktive  970

Humbje jete  58 (Qarku Tiranë 32, Durrës 10, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 7, Kukës 1, Elbasan 1).