Lajme


Klimë e përkeqësuar për biznesin, ambasadorja Kim apel politikës shqiptare: “Gjeni zgjidhje”.

Postuar nga Isida Muco

29th June 2020



Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi sot raportin mbi indeksin e biznesit në Shqipëri ku anketimi i bërë tregoi një përkeqësim të klimës në Shqipëri.

“Sondazhi mbulon, dua ta theksoj, mbulon periudhën 2019 dhe nuk përshinë efektet e pandemisë. Një nga gjërat që ne shikojmë me shumë kujdes janë ndryshimet nga viti në vit edhe unë dua të jem shumë i drejtpërdrejtë sot, rezultatet nuk janë të mira. Kemi një rënie të indeksit me pesë pike”, tha Enio Jaço nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Rezultatet e raportit u komentuan edhe nga ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila dha edhe disa porosi strikte për politikën shqiptare dhe në veçanti për qeverinë.

“Në këto tri prioritete që unë kam në Shqipëri që është rritja e marrëdhënieve për mbrojtjen, mbështetja e Shqipërisë si një vend demokratik, secila prej tyre ndikohet nga korrupsioni. Fakti që situata politike doli në krye të listës së shqetësimeve, tregon se Shqiptarët janë të lodhur nga politika si zakonisht. Ata duan zgjidhje, nuk duan thjeshtë që të vazhdohet në një lojë ku njëra palë fajëson tjetrën”, tha Yuri Kim.

Porositë e ambasadores amerikane duket se ranë në vesh të shurdhët pasi të dy përfaqësuesit politikë në panel, Eduard Shalsi dhe Jorida Tabaku fajësuan sërish njëri-tjetrin.

“Unë besoj që kriza e sajuar politike fillim vitit trë kaluar që detyroi opozitën në një akt të paprecedentë të braktisë parlamentin, pastaj të dezertoi nga zgjedhjet e qershorit nuk ishin zgjidhja e duhur”, tha Shalsi.

“Problemet e tjera që nuk i tha zoti Shali përveç faktit të paritë që fajin e ka opozita akoma edhe në 2020, që është e njëjta retorikë. Dhe unë besoj, se ashtu siç e tha edhe ambasadorja, edhe biznesi edhe qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë se kush e ka fajin”, tha Tabaku.

Sipas raporti të Dhomës Amerikane të Tregtisë, klima e biznesit në Shqipëri kishte pësuar një rënie me 5 pikë në krahasim me vitin e shkuar duke shënuar edhe rënien më drastike gjatë tetë viteve të fundit.