Lajme


Italia në gjendje emergjence deri më 15 tetor.

Postuar nga Isida Muco

29th July 2020



Dhoma e Lartë e Parlamentit italian miratoi zgjatjen e gjendjes së emergjencës në të gjithë vendin deri më 15 tetor. Vendimi erdhi pas kërkesës së kryeministrit, Giuseppe Conte, duke zgjeruar kështu fuqitë e qeverisë së Romës për të luftuar krizën shëndetësore të nxitur nga pandemia koronavirus.

Partitë opozitare votuan kundër dhe akuzuan Conten se po përpiqet që të ruajë fuqitë e shtuara, pavarësisht rënies drastike të nivelit të përhapjes së koronavirusit të ri. Por kryeministri e mbështeti kërkesën e tij duke theksuar se Italia nuk duhet të ulë vigjilencën për të parandaluar një rigjallërim të përhapjes.

Conte shtoi se situata në shumë zona të botës, përfshirë Francën, Spanjën dhe vendet e Ballkanit është tepër shqetësuese dhe kjo, sipas tij, mund të rrisë shifrat edhe në Itali.

Gjendja e emergjencës i jep pushtet më të fuqizuar qeverisë qendrore, duke e bërë më të thjeshtë për ministritë që të ndërmarrin masa strikte në një kohë shumë të shpejtë për të luftuar pandeminë.