Lajme


“EMA” konfuze për vaksinën AstraZeneca, shkakton apo jo trompozë?

Postuar nga admin

6th April 2021



Debati mbi përdorimin e vaksinës AstraZeneca është rikthyer sërish nëse ka një lidhje mes këtyre dozave që janë injektuar te individët dhe rasteve të trompozës.

Sytë e të gjithëve janë nga EMA, Agjencia Europiane e Barnave, e cila në një reagim të fundit shprehet se “nuk kemi arritur ende në një përfundim” nëse vaksina ka lidhje me rastet e mpiksjes së gjakut. Një zyrtar i EMA-s tha më herët se ekziston një lidhje mes rasteve të regjistruara me trompozë dhe kësaj vaksine.

EMA pak javë më parë njoftoi se përfitimet nga vaksina AstraZeneca tejkalojnë rreziqet dhe se përdorimi i saj mbetet i sigurt, pas pezullimit nga disa vende. Agjencia, megjithatë, shpjegoi në atë kohë se do të bënte rekomandime të azhurnuara.

Sot në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”, Marco Cavaleri, shefi i strategjisë së vaksinimit në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA), tha se vaksina AstraZeneca ka qenë e lidhur me rastet e trompozës, por shkaku nuk është përcaktuar ende.

“Ne mund të themi tani, është e qartë se ekziston një lidhje (midis rasteve të trompozës) dhe vaksinës. Megjithatë, çfarë e shkakton këtë reagim nuk dihet ende. Me pak fjalë, në orët e ardhshme do të njoftojmë se ka një lidhje, por ne ende duhet të kuptojmë se si ndodh”, tha Marco Cavaleri.

Nga ana e saj, Komisionerja e Shëndetësisë e BE Stella Kyriakidou tha se Komisioni është në kontakt të ngushtë me Coreper në lidhje me vlerësimin e farmakovigjilencës së vaksinës.