Lajme


Belmondo përcillet në banesën e fundit me muzikën e “Zhos Profesionistit”

Postuar nga admin

10th September 2021



“Zhos profesionisti” nuk mund të ikte nga kjo botë pa na emocionuar për herë të fundit. Pa derdhur edhe njëherë disa pika lot, nën tingujt e “Chi Mai” të Ennio Morricone-s, muzika që na ka drithëruar tek filmi “Profesionisti”.

Lot, dinjitet dhe shumë duartrokitje. Kështu e ka përcjellë Franca aktorin që i ka dhuruar botës karakterin e një kinemaje që sot duket se ka humbur.

Personalitete nga gjithë bota kanë nderuar për herë të fundit Jean-Paul Belmondo, në ceremoninë që u bë në vendin ku prehet Napoleoni.

“Ai ishte shoku që të gjithë ëndërronin të kishin,” tha Presidenti Emmanuel Macron në fjalimin e mbajtur në ceremoninë mortore.

Rreth 1.000 persona u lejuan brenda oborrit të madh të monumentit “Les Invalides”, ndërsa mijëra njerëz të tjerë e panë ceremoninë në një ekran që ishte vendosur jashtë. Aktori që Franca e thërriste “Bebel”, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.  Ai arriti famën ndërkombëtare si ylli kinemasë “New Wave”në rolin e një gangsteri ekzistencial në “A bout de souffle” të Jean-Luc Godard  në vitin 1959.

Romantiku i përjetshëm Belmondo do të mbetet pjesë thelbësore e historisë së kinemasë franceze, por edhe e vetë Francës.