Lajme


Ushtria amerikane, armë me mikrovalë për të shmangur luftën bërthamore me Korenë e Veriut?!

Postuar nga Isida Muco

6th December 2017



Ushtria amerikane mund të përdorë armët me mikrovalë për të shmangur luftën bërthamore me Korenë e Veriut. Rrjeti televiziv amerikan NBC thotë se Shtëpia e Bardhë po e shqyrton këtë mundësi prej gushtit të këtij viti.

Sipas saj, Uashingtoni disponon një raketë ende në faza eksperimentale, që mund të çaktivizojë sistemin raketor të Penianit. Raketa lëshohet nga avionët bombardues B-52. Kur fluturon mbi impiantet raketore, ajo lëshon energjinë e mikrovalëve, që nxjerrin jashtë funksionit brenda sekondave çdo sistem elektronik.

Një model i tillë i quajtur CHAMP po testohet në laboratorët e ushtrisë në Nju Meksiko.

Rezultatet janë optimiste.

Qendrat e Komandës dhe Kontrollit janë të pajisura me infrastrukturë elektronike, që mund të shkatërrohen nga energjia e fortë e mikrovalëve.

Konflikti bërthamor mes SHBA e Koresë së Veriut është në prag shpërthimi, veçanërisht pas testimit nga Peniani të raketës që fuste në rrezen goditëse të të gjithë territorit amerikan.