Lajme


Te ardhurat per fryme, Shqiperia nder te fundit ne Evrope.

Postuar nga Isida Muco

22nd November 2017



Shqipëria renditet e 105-a në botë nga 189 shtete, përsa i përket të ardhurave për frymë në vitin 2017, sipas shifrave të fundit që janë përditësuar në sistemin e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe janë përpunuar nga Monitor. Ndërsa Kosova ka një renditje më të përkeqësuar në vendin e 120.

Me 4520 dollarë për frymë në vit, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë. Vendi ynë lë pas vetëm Kosovën (me 3500 USD, në vendin e 120), Ukrainën (135) dhe Moldavinë (137), ndërsa pak më sipër se ne është Bosnjë Hercegovina.

Maqedonia është në vendin e 96, me 5500 dollarë për frymë, Serbia në vendin e 94, me 5600 dollarë. Më mirë është Mali i Zi, në vend të 84 (7071 dollarë për frymë).

Parashikimet e FMN-së janë që deri në vitin 2022, të ardhurat për frymë të çdo shqiptari të arrijnë në 6000 dollarë, duke u përmirësuar lehtë në renditje, për të zbritur në vendin e 100.

Por, e kaluara tregon që Shqipëria nuk ka arritur të ecë më shpejt sesa vendet e tjera në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, përkundrazi është përkeqësuar. Në vitin 2006 Shqipëria kishte të ardhura për frymë prej rreth 3000 dollarë, por renditej një pozicion më mirë, pra në vendin e 104.