Lajme


Shqiptarja realizon fustanin e nusërisë me letra higjenike, fiton vendin e tretë në SHBA

Postuar nga Isida Muco

22nd June 2018



Një shqiptare ka zënë vendin e tretë në një konkurs të fustaneve të nuseve të realizuar me letra higjenike në New York të hënën.

Mimoza Haska mundi 1.500 konkurrentë në 14 vjetorin e konkursit të ‘Annual Toilet Paper Wedding Dress Contest Presented’  dhe fitoi një çmim prej 2500 dollarë për fustanin e saj të nusërisë me letra higjenike.

41-vjeçarja e lindur në Shqipëri por që jeton në Surfside Beach, SHBA ushtron profesionin si parukiere.

Ajo e konsideron veten me fat që ju dha mundësia për shkuar në Shtetet e Bashkuara para 21 vitesh.

“Në atë kohë vendi im ishte në trazirë për shkak të rënies së sistemit komunist dhe viteve të hershme të demokracisë,”-tha Haska.

Ajo po shëtiste nëpër dyqane kur pa rroba dasme të bëra nga materiale të ndryshme si gazeta, letër ambalazhi dhe plastikë.

Në atë kohë, ajo tha se donte të krijonte veshje për të treguar stilet e saj të flokëve.

Veshjet e saj të para u realizuan me letër higjienike.

“Unë jam shumë kreative,” tha ajo. “Nuk e dija se si të qepja por e realizova atë. Është një anë artistike e imja.”

Ajo ka marrë pjesë edhe dy herë të tjera në konkurs në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2013 ku edhe fitoi.

Pas shumë vitesh Haska u rikthye dhe u deshën 8 javë për të përfunduar fustanin e nusërisë.