Lajme


Papunësia në Gjermani, shënohet nivel rekord i ulët !

Postuar nga Isida Muco

29th March 2018



Papunësia në Gjermani ka vazhduar rënien gjatë muajit Mars, ndërkohë që kompanitë në ekonominë më të madhe të Europës kanë shtuar fuqinë punëtore, për të përballuar porositë e mëdha. Norma e papunësisë ra në një rekord të ulët prej 5.3% në Mars, sipas agjencisë federale të Statistikave në Nuremberg. Numri i personave të papunë ra me 19,000 në 2.37 milionë, ndërkohë që analistët prisnin një rënie me 15,000.

Gjermania ka përfituar nga tregtia e fortë globale dhe shpenzimet brenda vendit e sipas Bundesbank, vrulli ekonomik ka vazhduar në tremujorin e parë të këtij viti. Banka Qendrore deklaroi se volumi i madh i porosive i akumuluar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ka gjasa të mbështesë aktivitetin në manifakturë për momentin, pavarësisht treguesve mbi ndjesinë ekonomike që janë përkeqësuar prej shqetësimeve proteksioniste nga SHBA.

Sipas Bundesbank, ndër rreziqet që përballen disa sektorë është se tkurrja e mëtejshme e tregut të punës do të limitojë mundësinë e disa kompanive për të punësuar staf të ri. Papunësia ra me 17,000 njësi në Gjermaninë Perëndimore dhe me 2,000 në pjesën Lindore të vendit.