Lajme


Nis racionizimi i birrës, kriza e CO2 godet Evropën.

Postuar nga Isida Muco

27th June 2018



Mungesa e madhe e dioksidit të karbonit të përdorur në ushqim, ka shkaktuar shqetësime për ndërprerje të furnizimeve të pijeve në Europë. Mungesa e dioksidit të karbonit vjen në një kohë të vështirë gjatë verës, ndërkohë që po zhvillohet edhe kampionati botëror.

Kriza ka bërë që shumë prodhues të mëdhenj të industrisë së pijeve dhe ushqimore të paralajmërojnë konsumatorët për mungesa të mëdha në javët e ardhshme.

Sipas revistës “GasWorld”, që ishte e para që raportoi mungesën e gjerë të CO2 në Europë këtë muaj, kjo përbën situatën më të keqe të ofertës që godet këtë biznes në dekada.

Pjesa më e madhe e dioksidit të karbonit të përdorur në ushqim në Bashkimin Europian, vjen nga fabrikat gjigante të amoniakut dhe të paktën 5 prodhues të gazit në Europën Veriore janë mbyllur në nisje të verës për të zgjidhur ccështje të mirëmbajtjes.

Edhe burime të tjera të CO2 në Europë si bio-etanoli janë ndërprerë për punime gjatë verës. Gazi përdoret për të karbonizuar produkte si birra apo pije të tjera.

Shitësi me shumicë Booker, i zotëruar nga gjiganti britanik Tesco, që përdoret nga baret, restorantet dhe tregtarët, ka nisur racionizimin e furnizimeve të birrës dhe pijeve të tjera.

Kjo vjen pas ndërprerjeve te gjigantët Heineken dhe Coca-Cola, prej mungesës së dioksidit të karbonit. Heineken paraljmëroi baret që të presin mungesë të madhe për markat Amstel dhe John Smiths.

Wetherspoons, një nga lokalet më të mëdhej në Mbretërinë e Bashkuar, bëri të ditur se do të nxjerrë shumë birra nga menu-ja. Së fundmi Coca-Cola ka deklaruar se ka ndëprerë në mënyrë të përkohëshme një pjesë të prodhimit për shkak të mungesës së dioksidit të karbonit.