Lajme


Mësuesit më të mirëpaguar në Evropë, në Shqipëri 30% më shumë.

Postuar nga Isida Muco

25th December 2017



Të dhënat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregojnë se, në Europë, pra në vendet e Bashkimit Europian, paga e një mësuesi me arsim të posaçëm është më e ulët se e një qytetari tjetër, me të njëjtin nivel arsimi, por që bën një profesion tjetër.

Madje, kjo tendencë është e përhapur në pjesën dërrmuese të vendeve europiane, aq sa një mësues gjimnazi në Europë merr mesatarisht sa 90% e një të punësuari në një sektor tjetër. Në vende si Çekia indeksi zbret në 0.58, e në Itali në 0.67. Mesatarja e vendeve të organizatës ndërkohë, fiksohet në 0.88.

Në Europë rekordin e mban Portugalia me një indeks në 1.3, çka do të thotë se, në Portugali mësuesit e gjimnazit paguhen mesatarisht 30% më shumë se qytetarët e tjerë me një arsim të të njëjtit nivel po që kanë një tjetër profesion.

Po Shqipëria ku klasifikohet në këtë renditje? Po të ishte në Bashkimin Europian, do të ishte e para në klasifikim me pikë të barabarta me Portugalinë. Kjo, pasi një mësues gjimnazi në Shqipëri paguhet 30% më shumë sesa paga mesatare.

Madje, vendimi i ri i qeverisë për rritjen e pagave të mësuesve, në 77 mijë lekë, do të thotë se, brenda 4 viteve të ardhshme, paga e mësuesve do të rritet me 40%. Kjo e shoqëruar me një rritje më të ulët të pagës mesatare, përkthehet në një vend të parë të Shqipërisë së padiskutuar në këtë renditje.

Pra, ndryshe nga vendet e tjera europiane, Shqipëria duket se di si ti trajtojë mësuesit, duke i dhënë kështu stimujt e duhur monetarë, atyre që Europa duket se nuk di t`i vlerësojë sa duhet, të paktën në krahasim me të tjerët.