Lajme


Medalje guximi për emigrantin që shpëtoi fëmijën!

Postuar nga Isida Muco

28th May 2018



Një emigrant nga Mali është përshëndetur si hero pasi ka shpëtuar një djalë të vogël i cili ishte varur në një ballkon në Paris dhe rrezikonte të humbiste jetën. Si shpërblim për veprimin e tij të guximshëm ai do të marrë shtetësinë franceze.

Mamoudou Gassama, me veprime prej “Spidermani” u ngjit në një ndërtesë shumëkatëshe për të shpëtuar katërvjeçarin.

Në video, banorët e mbledhur e duartrokasin pasi ai ngjitet nga njëri ballkon në tjetrin deri në katin e katërt.

Pasi e priti në Pallatin Elysee për ta falënderuar personalisht, Presidenti Emmanuel Macron tha se 22-vjeçari nga Mali do të bëhej shtetas francez nëpërmjet natyralizimit.

Presidenti francez i dha atij edhe një medalje për guximin.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në veri të kryeqytetit francez. Gassama tha për mediat franceze se ai po kalonte në atë rrugë kur kishte parë turmën me njerëz. “Nuk e mendova dy herë, thjesht u nisa për ta shpëtuar fëmijën”, tha ai.