Lajme


Krizë për ushqim dhe ujë, efektet e ndryshimeve klimatike.

Postuar nga Isida Muco

28th August 2019



Ndryshimet klimatike çdo ditë janë të pranishme me ngjarje të motit ekstrem, me ndryshime në tokë, oqean, ajër dhe burime ujore. Por, më i rëndësishëm është fakti se ndryshimet e klimës rrezikojnë burimet e ushqimit dhe ujit të pijshëm duke cenuar jetën në tokë.

Përtej shkencës së komplikuar të klimës, faktet janë të thjeshta. Ngrohja globale me 1.5°C nga shekulli i kaluar deri në ditët tona ka sjellë ndryshime të dukshme të klimës globale.
Në dy dekadat e fundit, ndryshimet e klimës dhe moti ekstrem kanë sjellë degradimin e tokave në masën 46% të sipërfaqes totale të globit.
Degradimi i tokës ka pakësuar sipërfaqet e mbjella me drithëra; ka dëmtuar florën dhe faunën nga akujt e Arktikut në pyjet e Amazonës; nga stepat e Siberisë në ishujt e Paqësorit.

Në këto kushte, e ardhmja sjell varfërim të botës bimore duke ndikuar në pakësimin apo zhdukjen e llojeve të specieve të gjalla.

Qeveritë dhe Kombet e Bashkuara janë dakordësuar të luftojnë ngrohjen globale duke firmosur marrëveshje, duke ndërmarrë angazhime, por ritmet e ngrohjes globale duken të jenë më të shpejta sesa firmat dhe marrëveshjet.