Lajme


Këto gra s’kanë kaluar testimet e virgjërisë dhe janë burgosur, por tani ka shpresë dhe për to

Postuar nga Isida Muco

5th July 2018



Në një burg në provincën e Balkh në Afganistan, më shumë se 200 vajza dhe gra të reja janë të ngjeshura në qeli të pisëta. Shumica është aty prej muajsh, dhe të tjera për më shumë se një vit. Kur të lirohen, i pret një e ardhme e mbushur me turp, përjashtim dhe skamje.

Asnjëra s’ka kaluar testimin e virgjërisë, i cili performohet nga një profesionist i fushës në një klinikë a spital, dhe pikërisht ky është krimi i tyre.

Vitin e shkuar, nën presionin e aktivistëve të të drejtave të njeriut, Ashraf Ghani, presidenti afgan, premtoi se testimet mjeko-ligjore të virgjërisë (ekzaminime invazive që kontrollojnë nëse himeni është i dëmtuar ose jo) do të ndaloheshin si procedurë zyrtare. Sidoqoftë, testet performohen ende gjerësisht dhe pasojat për gratë që nuk e kalojnë këtë test janë të menjëhershme dhe katastrofike.

“Kam qenë në një burg në provincën e Balkh dhe shumica e atyre që s’kanë kaluar testin e virgjërisë dhe janë burgosur janë mes 13 dhe 21 vjeçe,” tha Farhad Javid, drejtor rajonal i Marie Stopes International në Afganistan.

“Çfarë pashë atje ishte kaq shqetësuese, kushtet ishin kaq të këqija. Më shumë se 12 vajza të reja në një qeli të vetme. Edhe pse supozohej të burgoseshin për vetëm tre muaj, shumë mbahen për një vit ose një vit e gjysmë. Kur fitojnë sërish lirinë, familjet i kanë mohuar dhe gjenden në një pozitë të rrezikshme.”

World Health Organization i konsideron testimet e virgjërisë si degraduese, diskriminuese dhe të pabaza në shkencë. Pavarësisht kësaj, testimet përdoren masivisht për të parë nëse një grua është e virgjër ose jo.

Tani, pas një lufte të gjatë dhe të hidhur, Marie Stopes Afghanistan, në bashkëpunim me drejtues fetar dhe shoqërinë civile vendase, beson se ka gjetur zgjidhjen që kjo praktikë të ndalohet në spitalet dhe klinikat e Afganistanit.

Me financim nga qeveria suedeze, organizata do të punojë me mjekët dhe infermierët në qendra shëndetësore në çdo provincë afgane për t’u siguruar se polica e re kuptohet dhe komunikohet si duhet.

“Ka qenë një rrugë e mundimshme, por kjo na duket si një arritje e madhe sepse politikat e shëndetit publik në Afganistan respektohen edhe nga qeveria, edhe nga Talibani. Shkojnë përtej ligjit sharia dhe presim që të respektohet dhe të implementohet në gjithë provincat,” thotë Javid.

Testimet e virgjërisë u ndaluan në 2016-n, por Javid thotë se policia vazhdon të arrestojë vajza dhe gra që dyshohen se kanë bërë seks dhe t’i dërgojë në spitale për testime virgjërie të detyruara.

“Shpresojmë që, kur policia ose familja të sjellë një vajzë në spital për një testim virgjërie, kjo procedurë të mos ofrohet më nga profesionistët e fushës. Në këtë mënyrë, sjellja e gjithë komunitetit do të ndryshojë.”

Hapi i radhës, shton Javid, është lirimi dhe falja e mijëra vajzave dhe grave që janë burgosur prej këtyre testimeve.

Sipas një raporti të Human Rights Watch nga 2016-a, thuajse gjysma e gjithë grave të burgosura në Afganistan – dhe 95% e vajzave në qendra burgimi për të miturit – janë aty për krime morale si seksi para martese.

Burimi: The Guardian