Lajme


Greqia nën flakë, pamje të tmerrshme nga ajri.

Postuar nga Isida Muco

24th July 2018



Shkatërrim i madh, dëme të pallogaritshme dhe me një bilanc tragjik viktimash që pritet të rritet nga ora në orë. Deri tani mediat greke flasin për 50 të vdekur dhe me qindra të tjerë të plagosur. Ndërkohë, dyshohet se bilanci përfundimtar do të përfshijë më shumë të vdekur, pasi pranë shërbimeve përkatëse janë bërë dhjetra telefonata nga të afërm për të deklaruar persona të zhdukur. Kryeministri grek Aleksis Tsipras, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke kërkuar edhe ndihmën e BE dhe vendeve të tjera. Thirrjeve për ndihmë nga ana e Greqisë i është përgjigjur Qipro, Spanja, Izrael etj. Temperaturat në Greqi kanë shkuar deri në 40 gradë. Ndërkohë nga Ambasada shqiptare në Athinë është pohuar se mes viktimave nga kjo fatkeqësi, nuk ka raportime për shqiptarë edhe pse është një nga zonat ku punojnë shumë bashkëatdhetarë tanë. Nga kontakti i vazhdueshëm me përfaqësuesit e komunitetit në zonat e goditura, por edhe me autoritetet nuk flitet për shqiptarë, as mes viktimave dhe as mes të lënduarve.