Interesante


Gati për të vizituar një dhomë plot me radioaktivitet?

Postuar nga Isida Muco

9th October 2019



Vitet e fundit termocentrali bërthamor i Çernobilit ka parë një rritje të madhe të numrit të vizitorëve. Interesimi për fushën e katastrofës më të madhe bërthamore në botë u rrit sidomos pas fillimit të mini-serialit  “Chernobyl” të prodhuar nga HBO dhe Ukraina vendosi të përfitonte nga momenti i popullaritetit.

Qeveria në fakt ka filluar një projekt për tërritur më shumë numrin e turistëve të interesuar për të vizituar zonën, duke hapur dyert e dhomave të uzinës deri më tani të ndaluara.

Korrikun e kaluar, Presidenti ukrainas Volydymyr Zelensky nënshkroi një dekret në të cilin Çernernobili u njoh si një atraksion zyrtar turistik dhe rreth 21 itinerare u ofruan për të mirëpritur vizitorë. “Ne duhet t’i japim këtij territori ukrainas një jetë të re,” tha Zelensky në kohën e nënshkrimit.

Vizita e parë turistike do të jetë ajo e Reaktorit 4, por pasi në dhomën e kontrollit ka akoma një sasi të lartë të rrezatimit edhe pse kanë kaluar 33 vjet pas aksidentit bërthamor, ekzistojnë rregulla për turistët trima.

Në fakt, vizitorët do të pajisen me pantallona të gjera, helmeta dhe maska, të cilat duhet të vishen detyrimisht. Vizitat mund të zgjasin deri në pesë minuta dhe në fund, do t’ju duhet të bëni një provë për të matur shkallën e ekspozimit ndaj rrezatimit.

Për të hapur zonën për turistët, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme, përfshirë atë të 1.5 miliardë eurove për ndërtimin e një kupole mbrojtëse, të dizajnuar për të parandaluar rrjedhjen e materialit radioaktiv.

Disa sektorë, përfshirë këtu “varrezat e makinave” të fshatit Rossokha, mbeten të ndaluara, të paktën për momentin.