Lajme


Edicioni i dytë i teatrove mes gjimnazeve të Tiranës në “arTurbina”

Postuar nga Isida Muco

14th March 2019



Në skenën e ”arTurbinës” do të nisë më 20 mars edicioni i dytë i teatrove mes gjimnazeve të Tiranës. 10 gjimnaze të Tiranës ngjisin në skenën e teatrit 10 shfaqje nga repertori i huaj dhe ai shqiptar.

Në prezantimin e këtij projekti ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se “ky festival sjell një energji të jashtëzakonshme të rinjsh dhe është një mundësi e re drejt së ardhmes. Është shumë kënaqësi që shikoj brezin e ri, që ka një lloj entuziazmi, që vjen nga arti dhe kultura. Është një mundësi shumë e mirë që Ministria e Kulturës ka nisur këtë projekt”.

Gjimnazistët e dhjetë shkollave në Tiranë, do të ngjisin në skenën e teatrit shfaqje, si “Loja e dashurisë dhe rastësisë”, “Shtëpi kukulle”, “Testamenti”, “Përtej horizontit” edhe të tjera, nën udhëheqjen e regjisorëve të rinj.

Festivali u jep mundësinë, të gjithë të rinjve, që kanë talent dhe dëshirë për t’u marrë me art, që t’i zhvillojnë më tej njohuritë e tyre. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, mirëpret gjimnazistët, duke u uruar mirëseardhjen në teatër.

“Mendojmë që pas Festivalit në shtator, të nisim me konceptin e studios eksperimentale. Kjo do të thotë që ne të krijojmë skena paralele me artistë, që do të bëhen pjesë e teatrit, paralelisht me artistët profesionistë në skenë”, shprehet drejtori Hervin Çuli.

Regjisorët e rinj që po punojnë në dhjetë shkolla të kryeqytetit, janë: Ledjan Gjeçi – “Arben Broci”, Algiona Aga – “Sami Frashëri”, Alba Shtembari – “Petro Nini Luarasi”, Deljana Topulli – “Aleks Buda”, Ledio Shehaj – “Andon Zako Çajupi”, Albi Dhima – “Qemal Stafa”, Françeska Hysi – “Ismail Qemali”, Marsel Greva – “Partizani”, Xhuliano Brisku – “Besnik Sykja”, Emiljano Bufazi – “Abdulla Keta”.