Lajme


Bejrut, ministri Lleshaj flet për operacionin pas shpëtimit të Alvinit

Postuar nga Isida Muco

7th November 2019



Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj foli mbi operacionin, që bëri të mundur shpëtimin e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha, i cili prej disa kohësh ndodhej i izoluar në kampet e Sirisë.

Lleshaj tha se Alvini është shpëtuar falë një pune profesionale të policisë shqiptare në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ata libaneze.

“Mund të themi se bëhet fjalë për një rrethanë të veçantë, me të cilën nuk jemi ndeshur më parë. E gjitha ka nisur pasi kryeministri Rama dhe Conte janë takuar së bashku. Shtetet kanë rënë dakord për bashkëpunim”, tha në një lidhje telefonike për “News 24” ministri Lleshaj. “Policia shqiptare dhe ajo italiane kanë bashkëpunuar dhe kanë marrë atë në kufirin mes Sirisë dhe Libanit. E gjitha u realizua me sukses në bashkëpunim edhe me Gjysmë-hënën e kuqe. Djaloshi ende nuk e ka takuar babanë, i cili është në Itali”, shtoi ai.

Sipas ministrit Lleshaj Alvini është gjetur pranë kufirit siriano – libanez, ndërsa shtoi se policia shqiptare po bashkëpunon me autoritetet, kryesisht libaneze për të ndërtuar një korridor të sigurt e për të shpëtuar edhe shqiptarë të tjerë, që ndodhen atje.

“Unë tani ndodhem në Bejrut, pasi kemi marrë fëmijën. Shpresoj që së shpejti do të nisem drejt Italisë. Për të mos harruar se edhe ambasadori ynë në Liban ka dhënë mbështetje. Operacioni ishte mjaft i komplikuar dhe tashmë është mbyllur. Unë jam këtu për shpëtimin edhe të qytetarëve të tjerë shqiptarë që janë në kampet e Sirisë apo vendeve të tjera në Lindjen e Mesme. Ne në bashkëpunim me autoritetet libane duam të bashkëpunojmë për të shpëtuar edhe shqiptarë të tjerë”, u shpreh Lleshaj.

Mbi akuzat e opozitës Lleshaj tha se ky ishte një aksion propagandistik dhe deklaroi se nuk e sheh me vend të kthejë një përgjigje.